Lëvizja Vetëvendosje po konsideron se me vlerën e re të koeficientit të pagave, pagat e punëtorëve të administratës publike në Kosovë janë ndër më të lartat në rajon. Mirëpo ligji po konsiderohet zhgënjyes nga përfaqësuesit e Administratës, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, tha se me vlerën e re të koeficientit, qereku i zyrtarëve publikë kanë 100 për qind paga më të larta.
Ajo tha se me këtë ligj ka po ashtu një rritje të pagës mesatare të sektorit publik në 768 euro.
“Nuk ka pasur lëvizje në raport me pagat që mbi afro 11 vite me radhë, andaj edhe kushtet në raport me tregun dhe ekonominë, kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Besoj që ligji në tërësi trajton çështjen e rregullimit të këtij sektori. Sektorit të pagave i janë shtuar rreth 111 milion euro, të cilat janë shpërndarë në kategori”.
“Vlen të ceket që në raport me administratën në tërësi apo në raport me zyrtarët publikë, ¼ e tyre merr pagë 100 për qind më të lartë, kemi një rritje të pagës mesatare të sektorit publik në 768 euro. Kemi edhe sektorë të cilët janë konsideruar më të ndjeshëm në këtë aspekt”, tha ajo.
Deputetja Statovci po ashtu shtoi se me koeficientin e ri Kosova iu është afruar standardeve të Bashkimit Evropian dhe se paga mesatare e sektorit publik është ndër pagat më të larta edhe në krahasim me rajonin.
“Nga një raport që ka qenë 1 me 20 në mes të pagës më të ulët edhe pagës më të lartë i jemi përafruar standardeve të Bashkimit Evropian të cilët e mbajnë një raport 1 me 6. Andaj ne shohim edhe një praktikë të tillë edhe në vendin tonë. Nëse e shohim pagën mesatare të sektorit publik është ndër pagat më të larta edhe në krahasim me rajonin, po besoj që efektet e saj më së miri do të shihen pas fillimit të implementimit të tij”, tha ajo për EO.
Mirëpo, ndryshe mendon kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës (SPAK) Ali Gashi.
Ai për EO tha se nga kontaktet që kanë pasur me strukturat e Sindikatës së Administratës Publike dhe me zyrtarë publikë, vlera e koeficientit prej 105 euro është zhgënjim për këtë sektor.
Ai tha se kjo është një rritje simbolike dhe se Qeveria duhet të reflektojë që ta ngrisë koeficientin, të paktën mbi 120 euro.
“Nga kontakte që i kemi pasur me strukturat e Sindikatës së Administratës Publike, por edhe zyrtarët e tjerë publikë, e më theks të veçanta shërbyesit civil, këtë vlerë të koeficientit nuk e kanë pritur mirë. Ka vite të tera që jemi duke e pritur këtë ligj të pagave dhe rrjedhimisht kemi menduar dhe kemi besuar që do të merren për bazë kërkesat tona dhe propozimet tona”.
“Kjo është një rritje simbolike. Të gjitha federatat sindikale nuk e kanë pritur mirë. Janë paralajmëruar edhe ankesa tek Avokati i Popullit. Për t’i ikur kësaj situate unë konsideroj që Qeveria ka kohë që të reflektojë dhe të marrë për bazë këto shqetësime dhe ta ngrisë këtë vlerë të koeficienti të paktën mbi 120 euro”, tha ai.
Gashi po ashtu theksoi se ky ligj është i mirë vetëm për strukturën politike, mirëpo sa i përket profesionistëve dhe zyrtarëve publikë, do të kemi vetëm ikje.
“Ky ligj që rregullon dhe i avancon vetëm pjesën e strukturës politike, ata kanë të drejtë që t’i gëzohen këtij ligji, edhe Presidentja, Kryeministri, edhe ministrat edhe zv. ministrat, deputetët. Për këta, ligji është ligji më i mirë ndonjëherë. Kurse për profesionistët dhe zyrtarët publikë është një ligj zhgënjyes, një ligj që nuk rrit mirëqenien ekonomike. Edhe atë shpresë që e kanë pasur që ky ligj do të jetë si motiv për të qëndruar në Kosovë, definitivisht ka humbur ajo shpresë, dhe fatkeqësisht që migrimi vetëm do të rritet”, tha ai për EO.