Pikërisht në hapësirën kur Ronald Reagan mbajti fjalim dhe i kërkoi Bashkimit Sovjetit ta rrëzonte barrierën, është vendosur statuja e tij.
Në 30 vjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, kur Gjermani është përgatitur ta festojë këtë ditë, është shpalosur edhe statuja e ish- presidentit të Shteteve të Bashkuara, që bëri shumë në bashkëpunimin e dy pjesëve gjermane, transmeton Telegrafi.
Gjatë vizitës që bëri në Berlin më 12 qershor të vitit 1987, Reagan i kërkoi liderit sovjetik Michael Gorbachev të vazhdonte me reforma dhe të linte anash ndarjen.
Në një fjalim para Portës së Brandenburgut, që ishte në anën e murit të Gjermanisë Lindore, Reagan tha se paqja dhe prosperiteti do të vinin vetëm nga rrënimi i murit.
Vetëm dy vjet më vonë, më nëntë nëntor 1989, qeveria e Gjermanisë Lindore hapi kufijtë me Gjermaninë Perëndimore, duke e shembur murin ndarës.
Sekretari i shtetit amerikan, Mike Pompeo shpalosi statujën për nder të presidentit Reagan, teksa e quajti atë “moment monumental” përpara se të ndihmonte për të hequr mbulesën e tij në tarracën e ambasadës, në nivelin e syve me majën e Portës së Brandenburgut.