Prishtinë, 23 maj – Tri njësitë e kombinatit metalurgjik “Trepça”, sipas Statutit të propozuar nga Bordi i ndërmarrjes, do të jenë autonome në planifikimet e tyre financiare dhe afariste, shkruan sot Koha Ditore.
“Trepça” është e ndarë në tri njësi biznesi, ndërsa njëra prej tyre është në pjesën veriore të vendit dhe menaxhohet nga serbët. Sipas Statutit, një kopje të të cilit e ka siguruar edhe “Koha Ditore”, përveç planeve dhe projekteve investuese, njësitë do të kenë autonomi të plotë edhe për çështjet financiare, përfshirë edhe në ndarjen e të hyrave.
“Njësitë biznesore do të kenë të evidencuara nënllogari të ndara për të marrë vendime lidhur me pagat dhe shpenzimet operative sipas planeve financiare të aprovuara nga Bordi Mbikëqyrës”, thuhet në draftin e Statutit për “Trepçën”.