“Stenta 2”, i akuzuari thotë se nuk kishte kompetencë dhe nuk referoi raste në spitale private

Prishtinë | 24 Sht 2021 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

I akuzuari Murat Abazi deklaroi se nuk kishte referuar raste në spitale private ngase nuk e kishte një kompetencë të tillë.

Këtë deklarim, i akuzuari Abazi e bëri të premten teksa dha mbrojtjen e tij në gjykimin që po zhvillohet ndaj tij dhe pesë të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “Stenta 2”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfetit po akuzohen edhe Elfedin Muhaxheri, Ferid Susuri, Ferihane Sefa, Masar Gashi dhe Murat Abazi.

Ata akuzohen se në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.

Gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, i akuzuari Murat Abazi i quajti të pabaza këto akuza, duke thënë që nuk kishte pasur kompetencë që pacientët t’i referojë nëpër spitale të tjera.

Abazi tha se profesioni i tij është infermier dhe jo mjek siç i referohet akti akuzues dhe se kompetencat e tij kishin qenë vetëm teknike duke mohuar të ketë pasur ndonjë rol ekzekutiv për referimin e pacientëve.

Po ashtu, ai mohoi të ketë marrë ndonjë shpërblim apo të ketë referuar ndonjë pacient në spitalin privat International Medicine Hospital (IMH), raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Puna ime ka qenë pranimi, regjistrimi, përgatitja dhe dorëzimi i dokumentacionit tek komisioni vlerësues”, tha ai gjatë dhënies së mbrojtjes së tij.

Sipas aktakuzës mjekët akuzohen se për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Mirëpo, kjo u kundërshtua nga i akuzuari Abazi pasi që i njëjti deklaroi se nga spitali IMH kishte pranuar 1 mijë e 500 euro, apo tri herë nga 500 euro pasi që kishte qenë i punësuar në pozitën e patronazh.

Në pyetjen e prokurores Shamolli, se a kishte kontratë të punës me spitalin IMH, i akuzuari tha se spitali në fjalë nuk i kishte ofruar kontratë dhe se për këtë e kishte ndërprerë marrëdhënien e punës me këtë spital.

Gjatë kësaj seance me lejen e gjykatëses, prokurorja Shamolli ballafaqoi dëshmitarin me përgjimet ligjore, respektivisht mesazhet, të cilët ishin marrë nën masat e fshehta të hetimit.

Në këto mesazhe, paraqiteshin komunikimet midis të akuzuarit dhe Ali Hocaoglu, pronarit të IMH.

Në këto komunikime flitej për një marrëveshje midis të akuzuarit Abazi dhe atij Hocaoglu, mirëpo për këtë, Abazi tha se bëhet fjalë për marrëveshje të punës dhe jo për referimin e rasteve në spitalin privat IMH.

I akuzuari gjatë ballafaqimit me këto mesazhe deklaroi se ka pasur raste kur familjarët e tij apo miqtë i kishte referuar në spitalin IMH pasi që sipas tij ishte spitali i vetëm në Kosovë që ofronte shërbime kardiologjike, mirëpo këtë nuk e kishte bërë për pacientët e QKUK-së, pasi që kjo nuk kishte qenë kompetencë e tij dhe për referimin e rasteve është dashur të ndiqen procedura disa mujore.

Prokurorja Shamolli i lexoi të akuzuarit mesazhin e dërguar nga telefoni i tij tek i akuzuari Hocaoglu, ku thuhej “Ali bej unë isha te Muhameti, por ai nuk ishte informuar rreth marrëveshjes tonë për rastet, unë sot e kam dërguar një pacient me kry bypass”.

Lidhur me këto komunikime i akuzuari tha se bëhet fjalë për marrëveshjen e punës dhe se me Hocaoglun nuk kishte pasur asnjë marrëveshje tjetër, kurse për referimin e pacientëve nuk e mohoi të kishte referuar familjarë apo miq, por jo edhe pacientë nga QKUK.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, se a është e vërtetë se roli i tij ka qenë teknik dhe jovendimmarrës, i akuzuari Abazi deklaroi se nuk kishte pasur asnjë lloj kompetence vendimmarrëse.

Ndërsa, në pyetjen e kryetares së trupi gjykues se a kishte pranuar ndonjë kompensim tjetër përpos pagës mujore, i akuzuari deklaroi se nuk kishte pranuar kurrë asnjë lloj kompensimi.

Pas përfundimit të dhënies së mbrojtjes, seanca u ndërpre për të vazhduar më 27 tetor 2021.

Ndryshe, me akuzat e prokurorisë në rastin “Stenta 2”, janë duke u përballur 40 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letra referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4 milionë e 555 mijë e 553 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacient që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh-së Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik. Mirëpo, për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast. /BetimiperDrejtesi

Të ngjashme