Maxhuni: Stërvitjet me armë të “Aeroklubit” në veri, sportive

Prishtinë | 13 Shk 2017 | 16:16 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri, ka folur edhe për aktivitetin e “Aeroklubit”, në veri duke thënë se kjo është një organizatë me dokumentacione të Kosovës dhe është e regjistruar në Kosovë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Çuni, ka thënë se një klub sportiv i uniformuar me pajisje ushtarake në një lokacion në veri të Kosovës kanë kryer disa aktivitete dhe nga mediet janë ngrit shumë dilema se për çka bëhet fjalë dhe natyrisht është kërkuar edhe deklarimi i ekspertëve të sigurisë dhe zyrtarëve të policisë, raporton Ekonomia Online.

Deputeti Quni, tha se në veri kanë qarkulluar lajme se po stërvitet një grup njerëzish me uniforma, armë e të tjera, gjë që ka krijuar një dozë paniku.

“Ju jeni të autorizuar duke besuar se i keni informatat të sakta , çfarë natyre janë ky grup , a kanë leje të veprimit, çka qëndron mbrapa , cilat janë rreziqet kur i kemi parasysh që veprojnë në një territor ku ne po mundohemi të shtrijmë edhe atje nëpërmjet institucioneve tona rendin, ligjin , sigurinë e të tjera. Duke marrë parasysh që ky grup ishin të komunitetit serb që ishin me uniforma, emblema, simbole që janë të themi ikonografi e ushtrive që lëvizjet e tyre taktike i ngjasojnë trajnimeve që u bëjnë Njësitë Speciale … Kjo e krijon një opinion, e krijon një dozë paniku se në sytë e institucioneve tona është ka vepron një grup paramilitar për të cilin institucionet fare nuk japin shpjegim ose nuk reagojnë”.

Ndërsa drejtori, Shpend Maxhuni, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Quni tha se nga informacionet që kanë bëhet fjalë për një aeroklub që ka për qëllim promovimin e sportit, dhe se nuk ka të bëjë me ndonjë stërvitje ushtarake.

Maxhuni, tha se themeluesi i kësaj organizate e ka dokumentacionin e Republikës së Kosovës. Sipas tij, aktiviteti i kësaj organizate është mbajtur në muajin gusht të vitit 2016. Ai tha se fotot që janë publikuar në media nuk kanë qenë në territorin e Kosovës, por nga një aktivitet tjetër në Serbi.

“Mund të konstatoj se bëhet fjalë për një aeroklub e cila është e regjistruar si organizatë joqeveritare e pavarur jo fitim prurëse e cila sipas statusit të saj i përket shoqërisë sportive dhe qëllimi apo objektivi i saj është që të promovojë kryesisht disiplina sportive . Kjo OJQ është e formuar në bazë të ligjit për bashkëpunim mes OJQ-ve, në kuadër të ligjit 4L -57 . Organizata në fjalë operon në veri të Mitrovicës , udhëhiqet nga personi Monqillo Arllo . Origjina e tij vjen nga Kroacia dhe banon në veri të Mitrovicës që nga viti 1996. Themeluesi i kësaj organizate posedon dokumentacionin siç është letërnjoftimi i Republikës së Kosovës , ndërsa në kuadër të masave që Policia e Kosovës ka ndërmarrë me verifikimin e këtij personi del se ky person nuk është i regjistruar në sistemin e Policisë së Kosovës si person i cili ka rënë ndesh me procedura ligjore”, ka theksuar Maxhuni.

Ndërsa, Kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë, Daut Haradinaj, ishte i interesuar të dijë se pse erdhi deri të dorëheqja e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Agron Selimaj.
“A u bë shkarkimi apo dorëheqja e drejtorit të AKI-së, që nuk ka bashkëpunuar me institucionet e sigurisë që ndërlidhet pikërisht me trenin e famshëm”?

Drejtori Maxhuni , iu përgjigj duke thënë se arsyen e dorëheqjes së tij e ka mësuar përmes publikimit që është bërë në media.

“Të jem shumë i sinqertë si çdo herë dhe unë do të jap në pyetjen tuaj përgjigjen time . Nuk besoj sikurse edhe të gjithë ju unë e kam mësuar arsyen e dorëheqjes së ish drejtorit të AKI-së, përmes publikimit që është bërë, pra përmes njoftimit që ai ka bërë publik. Po ju them me shumë përgjegjësi që Policia e Kosovës dhe Agjencioni Kosovar i Inteligjencës në vazhdimësi ka bashkëpunim shumë të mirë dhe qytetarët e Kosovës duhet të kenë besim te këto dy institucione. Në rrafshin operacional zyrtarët e AKI-së, dhe pjesëtarët e njësive të ndryshme të specializuara të Policisë së Kosovës janë 24 orë në bashkëpunim”.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Shpend Maxhuni në Kosovë operojnë 9 mijë organizata joqeveritare, derisa supozohet që numri i organizatave që janë të hapura nga shtetas të huaj është mbi 400.

Të ngjashme