Të premten dhe të shtunën do të zhvillohen ndeshjet e javës së 18-të apo xhiroja e fundit e stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në basketboll.
Takimi i parë do të zhvillohet ndërmjet Trepçës dhe Lipjanit, ku mitrovicasit do të kërkojnë fitoren e dytë radhazi, pas asaj ndaj Feronikelit. ‘Xehetarët’ kanë tri fitore dhe 12 humbje, derisa lipjanasit kanë 15 humbje në po aq ndeshje të zhvilluara.
Përballje shumë interesante pritet të zhvillohet ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës. Prishtinasit janë liderë me 12 fitore dhe tri humbje, kurse therandasit ndodhen në vendin e katërt me 10 fitore dhe pesë humbje. Ky takim pritet të jetë shumë interesant, duke marrë parasysh se dy skuadrat kanë treguar lojëra shumë të mira në këtë kampionat.
Të shtunën Bashkimi do të sfidohet nga Feronikeli. Prizrenasit kanë 11 fitore dhe katër humbje, derisa skuadra nga Drenasi ka katër fitore dhe 11 humbje.
Sfida e fundit sjell edhe super derbin ndërmjet Rahovecit dhe Pejës, që shënon edhe mbylljen e stinorit vjeshtor. Vreshtarët kanë 11 fitore dhe katër humbje, kurse Verdhezinjtë tetë fitore dhe shtatë humbje. Këto dy skuadra janë ballafaquar edhe në Ligën Ballkanike, duke dhuruar ndeshje të bukura dhe kështu pritet të jetë edhe të shtunën mbrëma në palestrën “Mizair Isma”.
Java 18
E premte
17:00 Trepça – Lipjani
19:00 Golden Eagle Ylli – Sigal Prishtina
E shtunë
17:00 Bashkimi – Feronikeli
19:00 Rahoveci – Peja