Pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës ku u votua që FSK-ja të transformohet në ushtri të vendit, ka ardhur dhe reagimi i NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut Verior, Jens Stoltenberg, është shprehur se lëvizja për të formuar ushtrinë e Kosovës po bëhet në kohën e gabuar.
“Sot, institucionet në Kosovë njoftuan miratimin e 3 pr.ligjeve që i hapin rrugë procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Më vjen keq të them se ky vendim është marrë, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO. Edhe pse transformimi i FSK-së është në parim një çështje e brendshme për të cilën vendos Kosova, ne e kemi bërë të qartë prej kohësh se kjo lëvizje po bëhet në kohën e gabuar”, shkruan Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ka kërkuar që të gjitha palët që mund të shkaktojnë konflikt në Ballkanin Perëndimor, të angazhohen për mos përshkallëzim të tensioneve në këtë rajon.
“Të gjithë aktorët politikë përgjegjës në rajon duhet të fokusohen në progresin e reformave dhe në dialog. Ripërsëris thirrjen time ndaj Prishtinës dhe Beogradit që të ruajnë qetësinë dhe të përmbahen nga çdo deklaratë apo veprim që mund të shkaktojë përshkallëzim të situatës”, shkruan Stoltenberg.