Ivana Stradner, bashkëpunëtore hulumtuese në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, ka komentuar blerjen nga Serbia të helikopterëve rusë Mi-35.
Stradner në një postim në platformën X paralajmëron se përshkallëzimi i radhës në rajon nuk do të fillojë nga grupe ushtarake të Serbisë, por nga grupe paraushtarake.
“Kushtojini vëmendje kësaj”, ka shkruar ajo.
Serbia ka blerë 11 helikopterë të rinj rusë Mi-35 dhe disa pajisje të reja ushtarake.
Ato janë prezantuar gjatë ditës së sotme në kryeqytetin serb, Beograd, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Stradner ka shpërndarë një shkrim të “Russia Today” (RT), që raporton se 11 helikopterë kanë mbërritur, ndërsa edhe katër helikopterë të tjerë do të vijnë nga Qiproja.
“RT thotë se Serbia bleu 4 helikopterë të tjerë që janë në Rostov-on-Don në Rusi, por ata nuk mund të dorëzohen tani”.
Njohësja e mirë e çështjeve të Rusisë, më herët ka komentuar deklaratën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili para pak ditësh tha se Rusia po përpiqet të fillojë një luftë në Ballkan. “Më besoni, ne kemi informacion. Rusia ka një plan të gjatë”, tha Zelensky.
“Për fat të keq, ai ka të drejtë. Unë kam paralajmëruar për këtë për një kohë të gjatë. Zelensky ka të drejtë që Rusia po përgatit një luftë në Ballkan,” shkroi Stradner.