Gentian Selmani është afrimi më i fundit në Kombëtare nga trajneri Christian Panucci. Kapiteni i Laçit u përzgjodh për të zëvendësuar Thomas Strakoshën, i cili luajti i dëmtuar në ndeshjen e fundit të Serisë A përballë Interit dhe tashmë duhet të qëndrojë pushim.
Portieri i shtohet në këtë mënyrë emrave të rinj të afruar rishtazi në ekipin kuqezi, nga mbrojtësi Egzon Binaku i Malmos, për të vazhduar me sulmuesit Sidrit Guri, Armando Vajushi e Rei Manaj. Selmani është vetëm 20-vjeçar, por ka eksperiencë të jashtëzakonshme. Duke nisur nga debutimi në elitën e futbollit shqiptar me Laçin në moshën 17-vjeçare, për të vijuar me përfaqësuesen Shpresa, ku është numri 1 i portës.
Thirrja është e merituar për atë që portieri ka treguar në këtë sezon, ku ka merita të padiskutueshme në pozicionimin e kurbinasve në vendin e katërt në kampionat, nga i cili ekipi siguroi një vend në kupat e Europës, por edhe te fakti që skuadra e Mezanit do të luajë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Me thirrjen në Kombëtaren A, Selmani do të regjistrojë edhe një rast të veçantë. Të dielën gardiani do të luajë finalen e Kupës ku Laçi synon të bëjë surprizën përballë Skënderbeut, ndërsa të hënën do të zbresë në fushë në miqësoren e Shpresave me Bosnjën.
Menjëherë më pas, prej orëve të para të mëngjesit të së martës, lojtari do të udhëtojë drejt Zvicrës, për tu vendosur nën urdhërat e Panuccit. Shanset janë reale që Gentian Selmani të luajë të paktën një pjesë loje në miqësoren e parë, ndaj Kosovës më 29 maj. Për portierin në stadium do të jenë të pranishëm shumë menaxherë nga klube të Serisë A, Bundesligës dhe Ligue 1 franceze. Mes ekipeve të interesuara nga kampionatet elitarë në Europë është edhe një emër i madh, ndërsa Selmani pritet të bëhet transferta e tretë e bujshme e Kategorisë Superiore në edicionin që përfundoi.