Kosovarët, që gjatë dhe para viteve ’90 kanë pasur kursime devizore në bankat jugosllave me kapital të Serbisë, mund të aplikojnë për tërheqje.
Ministria e Financave e Qeverisë së Serbisë u ka bërë thirrje banorëve të ish-Jugosllavisë, përkatësisht për ata që kanë pasur kursime devizore. Duke përfshirë ish-bankat me seli në Serbi dhe filialet e tyre në republikat e atëhershme socialiste federative të Jugosllavisë, ku hyn edhe Kosova, që asokohe kishte statusin e Krahinës Autonome, shkruan sot “Koha Ditore”.
Argumentimi me dokumente për kursimet e tyre qytetarët duhet t’i bëjnë vetëm për ato kursime që janë bërë deri më 27 prill 1992.
Një aktgjykim nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka detyruar Serbinë që të kompensojë kursimet e vjetra devizore. Për këtë gjë, Kuvendi i Serbisë në dhjetorin e vitit 2016 ka marrë vendim për krijimin e një fondi prej 310 milionë eurosh për qëllime të kompensimit, si pjesë e menaxhimit të borxhit publik.