Është thënë edhe nga analistë të tjerë se zvarritja e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë interes i liderëve të dy vendeve. Sa më shumë që stërzgjatet ky proces rraskapitës aq më mirë për ta. Sepse, duke e mbajtur si agjendë kryesore publike këtë temë, ata kanë mundësi t’i mbulojnë dështimet e tyre qeverisëse. Ta zhvendosin vëmendjen e opinionit nga dimensioni real i demokracisë dhe zhvillimit ekonomik në këtë betejë historike ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit.
Në funksion të këtij qëllimi kryeministri Kurti u pajtua në Bruksel dhe në Ohër për një marrëveshje që nuk e ka njohjen si qëllim kryesor të normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve. Sepse askund në këto dokumente nuk përmendet ky fakt. Në këtë mënyrë, u braktis qëllimi themelor i këtij procesi i cili ishte proklamuar me ngulm nga disa administrata amerikane. Secila prej tyre, si ajo republikane ashtu edhe demokrate, në vazhdimësi pohonin se njohja reciproke duhet të jetë qëllim kryesor i këtij rrugëtimi. Ndërkohë, tash duhet shmangur sa më shumë që të jetë e mundur fillimin e zbatimit të tyre. Sepse sa më shumë negociata, drama, tensione, aq më mirë. Një mundësi ideale kjo, për t’i mbajtur të ndezura pasionet elektorale të mbështetëseve.
Po ashtu, mirëmbajtja e kësaj gjendjeje është edhe në interes të liderit serb, sepse i krijon atij lehtësime politike dhe diplomatike. Për më tepër, nëse ai është për diçka i interesuar, është pikërisht ky dobësim gradual i pozicionit shtetëror të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Mundësisht sa më shumë izolim, sanksionim dhe konfrontim të shtetit të Kosovës me aleatët ndërkombëtar.
Ndërkohë, kjo situatë nuk është se nuk i përshtatet edhe Kurtit. Sepse në këtë mënyrë, ai ka mundësi të operojë me narracionin heroik të Don Kishotit, sesi i vetmuar po lufton në mbrojtje të sovranitetit shtetëror kundër forcave globale. Se si po i denoncon publikisht konspiracionet e tyre kundër një shteti të vogël dhe demokratik, ashtu si dikur Lenini i kishte denoncuar marrëveshjet për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe shteteve aleate të Antantës.
Dhe derisa vazhdon ky rreth vicioz kryetari i Serbisë ka mundësi ta shmang po ashtu presionin eventual ndërkombëtar sa i përket demokratizimit të Serbisë. Ai e dinë mirë që Brukseli dhe Uashingtoni nuk do të ushtrojnë trysni mbi të për këto tema për aq kohë se mbetet pezull procesi i dialogut me Kosovën. Ngase në momentin që merr epilog kjo çështje, lideri serb do të përballet me kërkesat rigoroze të bashkësisë ndërkombëtare për çlirimin e potencialeve demokratike në shoqërinë serbe, sundimin e ligjit, lirine e medieve dhe detyrimin për t’u distancuar përfundimisht nga Rusia. Kërkesa dhe kritere këto që do ta dobësonin pashmangshëm pozicionin dhe pushtetin e tij gati absolut politik.
E deri në atë kohë do të vazhdojë kjo skemë. Vuçiçi do ta vazhdojë stilin e tij aktual të qeverisjes, kurse Kurti se bashku me Vjosën do të mjaftohen për ta denoncuar atë nëpër mediat ndërkombëtare, dhe të shprehen të “habitur” sesi bota ka mirëkuptim për një lider autoritar dhe kundër karakterit të tyre demokratik.