Kritika pozitive dhe krahasime me vepra të filmbërësve rusë Andrei Tarkovsky dhe Alexander Sokurov e kanë pasuar premierën botërore të filmit që në rolin kryesor ka aktoren kosovare Arta Dobroshi.
“Stray” me regji të Dustin Feneleyt u dha premierë të shtunën, në “Multiplex Cinema October”, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Moskë, shkruan sot “Koha Ditore”. Filmi u shfaq edhe të dielën dhe sipas njoftimit zyrtar të lëshuar nga ekipi, “Stray” është mirëpritur nga kritika dhe audienca.
“Qindra njerëz kanë qenë prezentë në premierën botërore dje, dhe biletat për shfaqjen e dytë tashmë janë shitur”, është njoftimi që ka dhënë ekipi i filmit “Stray”, në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook”, një ditë pas shfaqjes premierë të filmit në një prej festivaleve më të njohura të filmit.
Festivali sivjet po mbahet ndërmjet datave 19 e 26 prill.
Feneley, gjatë konferencës për media, ka folur edhe për mënyrën sesi i ka zgjedhur aktorët e roleve kryesore, Kieran Charcnock e Arta Dobroshin. Ka thënë se filmi s’ka mundur të funksiononte pa një aktor të fortë si Charcnock.
“Pastaj u bashkëngjit Arta Dobroshi, e cila luan rolin e Graces. Isha i interesuar ta përfshija në kastë një ‘të huaj’. Një grua e cila përveçqë ka telashe me shëndetin mental, është po ashtu një emigrante e ardhur rishtas në Zelandë të Re. E kur del prej spitalit psikiatriak, ajo nuk ka familje, as miq për ta përkrahur”, ka thënë Feneley.
“E kam shkruar skenarin, ia kam dërguar Artës dhe i kam thënë se do të doja ta kisha në këtë film dhe fatmirësisht ajo ka pranuar. Ka qenë e mrekullueshme të punoj me të” ka shtuar ai.