Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, në veri janë rikthyer strukturat paralele, ndërsa “sovraniteti” i proklamuar nga kreu i ekzekutivit në veri kurrë s’ka qenë më i dobët.
“Sovranitet më pak se tash në veri s’ka pasur, ndoshta vetëm pak pas shpalljes së pavarësisë. Nuk e di çka kupton me sovranitet Kurti dhe surrogatët e tij, kur nuk ka asnjë institucion atje. Janë rikthyer strukturat paralele atje, janë më të fuqishme se çdoherë”, tha Krasniqi, në një intervistë në RTV “Dukagjini”.
Krasniqi pohoi se në kohën e qeverisjes së PDK-së ka pasur investime në veri, duke përmendur ndërtimin e disa vendbanimeve të reja, kurse policët e inspektorët kanë punuar sipas ligjeve të Kosovës, ndërsa tash s’po e sheh të njëjtin angazhim edhe nga qeverisja aktuale.
“Në kohën kur kemi qeverisur ne, kemi investuar në veri të vendit, kemi ndërtuar vendbanime të reja, kemi krijuar një kontekst ku ka pasur integrim, krejt policët e inspektorët kanë punuar sipas ligjeve të Kosovës, ne i kemi çuar njësinë speciale atje”.
“Gjithmonë është luftuar krimi dhe kontrabanda në veri prej vitit 2010 kur është bërë intervenimi i parë që e ka konsoliduar kontrollin në anën veriore, jo vetëm që ka pasur prezencë, pro ka pasur veprime, arrestime, depërtime, është mbajtur rendi”, shtoi ai.
Frika se tensionet në pjesën veriore të Kosovës mund të rikthehen sërish është rritur ndjeshëm, sidomos pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.