Ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, është shprehur se ende nuk janë shuar strukturat paralele komunale në veri të vendit. Sipas saj, Serbia ende po vazhdon të mbajë gjallë këto struktura në kundërshtim me marrëveshjet e arritura ndërmjet dy vendeve.
Tahiri ka thënë për Indeksonline se nga pala kosovare shumë shpejt pritet të ketë kushtëzime në dialog nëse qeveria serbe vazhdon t’i mbajë gjallë strukturat e saj paralele në veri të vendit.
“Krahas përparimeve që janë shënuar në pjesën veriore të vendit, Serbia ende vazhdon t’i mbajë disa struktura paralele komunale dhe ne për këtë vazhdimisht kemi raportuar në Bruksel dhe marrëveshja është që në periudhën e hartimit të statusit për asociacionin që ende nuk ka filluar do të ndodh shuarja e të gjithave strukturave të mbetura paralele”, ka thënë ajo.