Edhe pse ditë më parë morën premtimin e kryeministrit, Ramush Haradinaj se bursat për studentët e dalluar të Universitetit të Prishtinës nuk do të ulen, këta të fundit nuk do të ndalen me aktivitete derisa vlera e bursës të mos jetë ashtu si ka qenë më parë.
Kështu të paktën paralajmëruan studentët e Fakultetit të Arteve, pjesë e organizatës studentore “Reforma”.
Arben Elshani, nënkryetar i organizatës “Reforma”, tha se nëse nuk rishqyrtohet plani për kthimin e bursës në 900€ siç ka qenë më parë do vazhdojnë me aktivitete deri në shkarkimin e bordit.
“Sot ne, Organizata “Reforma” përmes këtij aktiviteti do të shprehim jo vetëm kundërshtimin e vendimit dhe të kthehet në rishqyrtim, por që të kthehet edhe vlera e bursës që ka qenë më herët në 900 euro. Në qoftë se ky vendim nuk kthehet në rishqyrtim dhe të bëhet vlera e bursës siç ka qenë më parë atëherë ne nuk do të ndalemi deri në shkarkimin e bordit aktual”, tha Elshani.
Ai po ashtu tha se do kërkojnë nga MAShT-i dhe qeveria shkarkimin e këtij bordi.
“Do të kërkojmë edhe nga ministri i Arsimit edhe qeveria shkarkimin e bordit në mënyrë që kjo kërkesë të realizohet deri në fund, ne nuk do të dorëzohemi për asnjë rast”.
Elshani gjithashtu ka treguar edhe për mesazhin e marr nga rektori Marjan Dema. Sipas Elshanit, me rektorin do të merren me çështje me cilësi dhe zhvillim në Universitet, ndërsa për bursa do të merren me bordin aktual.
“Ne si organizatë përmes këtyre aktiviteteve kemi dashur të shprehim gjendjen e Universitetit të Prishtinës. Prandaj sot e morëm edhe në mesazh nga rektori Demaj, që ky aktivitet është jo i mirë sepse po shfrytëzohet në forma të ndryshme, desha të them që nuk është e drejtë e tij që të flasë për bursat sepse nuk është kompetence e tij. Pastaj ne me rektorin Demaj do të merremi me çështje me cilësi dhe zhvillim në Universitet, ndërsa për bursa do të merremi me bordin aktual”.