Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në kuadër të Javës së Parasë, ka organizuar ligjëratë në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.
Nexhat Miftari, drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve, ka folur rreth rolit dhe funksionit të BQK-së, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se misioni i BQK-së është ruajta e stabilitetit financiar, furnizim me para të gatshme, gjithashtu edhe ofrimi i këshillave për Qeverinë dhe subjektet e tjera publike.
“BQK shërben si bankier për qeverinë e Kosovës dhe për bankat komerciale, menaxhon furnizimin e vendit me monedha. Ligji aktual për themelimin e BQK u miratua në vitin 2010. Ligji përcakton BQK-në si një entitet të veçantë juridik, me pavarësi operacionale dhe administrative. Organet kryesore janë bordi mbikëqyrës dhe bordi ekzekutiv”.
“Misioni i BQK është ruajta e stabilitetit financiar, furnizim me para të gatshme, gjithashtu ofrojmë këshilla Qeverisë dhe subjekteve tjera publike”.
Miftari sqaroi për studentët edhe ndikimin që ushtron BQK-ja.
“BQK ushtron ndikim në zhvillimin ekonomik në dy mënyra: ndikon në rritjen e kredisë së bankave komerciale duke ua imponuar bankave ndarjen e rezervave; këtë e bënë përmes rregulloreve dhe përpiqet të promovojë dhe të ruajë një sektor financiar të qëndrueshëm dhe efikas përmes licencimit, rregullimit dhe mbikëqyrjes”, tha ai.
Ai për studentet shpjegoi edhe funksionimin e pagesave në këtë bankë, raporton EO.
“Sistemi i Pagesave ndër-bankare në BQK u themelua në vitin 2002 dhe shërben për shkëmbim të urdhër-transfereve apo formave të tjera të pagesave me provizione shumë të ulta. Ne jemi bërë pjesë e SWIFT në vitin 2013 dhe kemi filluar të aplikojmë kodin tonë në muajin dhjetor të atij viti”.