Një grup studentësh mbrëmjen e së premtes kanë realizuar një aksion simbolik në kapmusin e Universitetit të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Në hyrje të kampusit, mure të fakulteteve dhe të bibliotekës janë vendosur mbishkrime me ngjyrë të kuqe dhe të zezë me mbishkrimin “50 vjet UP strehë e ngacmuesve seksual”.
Përmes një komunikate përcjell medieve ky grup thotë se ngacmimi seksual është fenomen i njohur në historinë e Universitetit të Prishtinës dhe emrat e ngacmuesve seksual janë të njohur.
Sipas tyre, ngacmimet seksuale vazhdojnë të mos sanksionohen brenda Universitetit të Prishtinës duke krijuar kështu një ambient të pasigurt.
Madje ata paralajmërojnë se nëse nuk ndërmerren masa do të bëjnë publik emrat e secilit profesor, asistent dhe punëtor administrativ.
Komunikata e plotë:
Ne, studente dhe studentë aktivistë, në 50 vjetorin e Universitetit të Prishtinës, ndërmorëm këtë aksion simbolik në kampusin universitar për të shprehur shqetësimin tonë rreth trajtimit të rasteve të ngacmimeve seksuale nga ky institucion.
Ngacmimi seksual është fenomen i njohur në historinë e Universitetit të Prishtinës dhe emrat e ngacmuesve seksual janë të njohur. Ngacmimet seksuale vazhdojnë të mos sanksionohen brenda Universitetit të Prishtinës duke krijuar kështu një ambient të pasigurt për studentet dhe studentët e UP-së, duke shkelur të drejtat e njeriut dhe duke e shndërruar Universitetin në një shtëpi e cila strehon dhe ushqen ngacmues seksual.
Përkundër raportimeve dhe skandaleve publike, Universiteti i Prishtinës edhe sot vazhdon të mos ketë rregullore kundër ngacmimeve seksuale që me Kodin Penal të Kosovës konsiderohen vepra penale, e gjithë kjo si pasojë e rezistencave të vazhdueshme nga ngacmues seksual brenda UP-së.
Të vetëdijshëm/me për shtrirjen e kësaj forme të abuzimit të pushtetit dhe kërcënim të të drejtave fundamentale të studenteve dhe studentëve, ne kërkojmë nga Universiteti i Prishtinës të ndërmarrë masa, përndryshe do të detyrohemi t’i publikojmë emrat e secilit profesor, asistent dhe punëtor administrativ, ngacmues seksual. Ne kërkojmë ambient të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë studentet/ët e Universitetit të Prishtinës.