Organizata jo-qeveritare “ETEA” ka publikuar raportin hulumtues “Kërkesat e tregut dhe kapacitetet e shkollave profesionale në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Pjesë e tryezës ishin përfaqësues nga Ministra e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit, përfaqësuses nga Agjensia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve, GIZ Kosovo, Solidar Suisse, Projekti EYE, përfaqësues të shkollave profesionale dhe të qendrave të kompetencës, si dhe nxënës nga arsimi profesional.
Menaxheri i projektit, Shkelqim Berisha shpalosi para të pranishmëve qëllimin kryesor të hulumtimit, i cili ishte analizimi dhe identifikimi i mangësive dhe problematikave të shkollave profesionale në Kosovë në raport me kërkesat e tregut të punës, si dhe sensibilizimi i opinionit publik dhe palëve relevante mbi rëndësinë dhe rritjen e përkushtimit drejt Arsimit dhe Aftësimit Profesional si çelësi i uljes së nivelit të papunësisë.
Drejtori i Departamentit të Ministrisë së Kulturës, Xhevat Bajrami tha se ky hulumtim na shërben për të dhënat strategjike si departament për rininë.
Sipas këtij hulumtimi, u bë e ditur se studentët më shumë po studiojnë në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik sesa në ato që i kërkon tregu i punës.
“Ne e dimë që Kosova e ka rininë e re prandaj si institucione jemi të detyruar që atë ta drejtojmë në projekte që ka të bëjë me arsimin profesional. Ne e dimë se shumica e të rinjve kanë studiuar Ekonomik dhe Juridik dhe pak në aspektin profesional. Për të gjeturat e këtij hulumtimi besoj që ky hulumtim do ju shërbejë të rinjve të cilët mund të njihen me njohuritë se çka ofron tregu profesional i punës”, tha ai.
Studimi në fjalë u shtri në 3 komuna, Prishtinë, Pejë dhe Prizren, ku sipas ETEA kriteri për përzgjedhjen e shkollave u bë në bazë të profileve pasi që hulumtimi është orientuar në Gastronomi, hidraulikë, makineri dhe Elektroteknikë. Në secilin lokacion është zgjedhur nga një shkollë me profile të njëjta në mënyrë që të bëhet krahasimi nderrajonal.
Në Prishtinë u zgjedh shkolla Sh.M.L “Gjin Gazulli”, dhe ShML “7shtatori”, në Pejë ShML “Shaban Spahija” dhe Qendra e Kompetencës “11Marsi” në Prizren.
Lidhur me këtë sipas hulumtimit më shumë nxënës ka në shkollat e përgjithshme sesa ajo profesionale pavarësisht që sipas drejtorëve nëse nxënësit kanë përfunduar praktikë profesionale atëherë arrijnë më shpejtë tek vendi i punës.



