Studentë dhe qytetarë kanë mbajtur aksion simbolik para rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për të kundërshtuar dukurinë e ngacmimeve seksuale në UP.
Ata kanë paralajmëruar protesta deri në shkarkimin e prorektores Teuta Pustina-Krasniqi e cila kishte thënë se studentët me “veshje provokative” nxisin ngacmime seksuale, raporton Ekonomia Online.
Studentja Adelina Tërshani tha se është e drejtë e studentëve të vishen ashtu siç duan dhe se sipas saj është e ndaluar të komentohet dukja e studentëve nga ana e personelit akademik.
Po ashtu, ajo kërkoi dorëheqjen e prorektores Pustina-Krasniqi dhe parlajmëroi që do të ketë protesta deri sa të ketë reagim nga ana e institucioneve.
“Prandaj prorektore, dorëheqje! Prandaj rektor, shkarkim! Nëse jo, bllokim e protesta deri në shkarkim. Nëse jo, bllokim e protesta deri sa të hetohen të gjitha rastet”, tha Tërshani.
Në aksionin e sotëm u tregua një rast i ngacmimit seksual që ishte bërë dy vite më parë ndaj studentes Jeta Berisha, e cila në atë kohë kishte qenë studente e Fakultetit të Arteve.
Berisha tha se rastin e kishte paraqitur në dekanat të fakultetit dhe në polici, por që kishin rezultuar pa sukses dhe pa asnjë përgjigje.
“Heshtje? Jo ma! Sepse sot nuk jam vet, jam me juve në këtë kauzë!”, shtoi në fund Jeta Berisha.
Një aksion të ngjashëm simbolik mbajti dje edhe organizata “Studim, Kritikë, Veprim” (SKV), ku kërkuan kërkim faljen apo dorëheqjen e prorektores Pustina-Krasniqi.
LEXO EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/shoqeri/skv-prorektorja-pustina-krasniqi-te-kerkoje-falje-ose-te-jap-doreheqje/