Përfaqësues të studentëve kanë kundërshtuar vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për uljen e vlerës së bursës që ndahet për studentët e dalluar nga 900 euro në 500 euro.
Ata kanë paralajmëruar se nëse vendimi nuk ndryshohet do të organizojnë protesta, raporton Ekonomia Online.
Shkumbin Bytyçi, kryetar i Organizatës “Reforma”, tha se nga java e ardhshme përmes protestave do të kërkojnë shkarkimin e këshillit drejtues të UP-së nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre.
“Kërkesa jonë është që ky vendim të kthehet në rishqyrtim dhe niveli i bursave te jetë siç ka qenë më parë (900 euro) dhe në rast se ky vendim nuk ndryshohet, nga java e ardhshme do të vazhdojmë me aktivitete simbolike si dhe protesta për shkarkimin e anëtarëve të këshillit drejtues të UP”, paralajmëroi Bytyqi.
Bytyqi zvogëlimin e bursës e quajti të dëmshëm për studentët, por edhe për UP-në. “Si organizatë studentore këtë vendim e shohim tejet të dëmshëm, para së gjithash për studentet, e po ashtu edhe për te ardhmen e Universitetit, duke qenë se bursat i kanë stimuluar studentët të zhvillojnë studime edhe më të zgjeruara sikundër që i janë ndihmuar shumë nga ta të i përmbushin kërkesat e tyre materiale për një vit shkollimi” , tha ai.
Ai tha se buxheti për universitetin çdo vit ka shënuar rritur, por kjo rritje nuk ka qenë në linjë me rritjen e bursave për student.
“Ajo çka i bënë studentet tejet të indinjuar me këtë vendim është fakti se bordi i UP-së gëzojnë benefite nga buxheti i universitetit si për paga, mëditjet drekat, shpenzimet e derivateve, e shume shpenzime të tjera të cilat asnjëherë nuk u arsyetuan me zhvillimin akademik te universitetit” .
Bursa për studentët kosovarë ishte zvogëluar në vitin 2015 nga 900 në 700 euro. Ndërsa me vendimin e ri, ajo zvogëluar në 500 euro.