Mustafë Buzhala është student i nivelit master në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, i cili tashmë ka filluar që profesionin e tij ta ushtrojë në mënyrën më profesionale të mundshme.
Ai tashmë është angazhuar si inxhinier në kompaninë e njohur, Bechtel & Enka, në departamentin e strukturës në Autostradën Prishtinë-Han Elez, ku ka përgjegjësi të bëjë kontrollimin e pozicioneve.
Ai tregoi se kjo autostradë është ndër projektet më të mëdha që ka zhvilluar shteti ynë, andaj edhe ndjehet me fat që në një projekt të tillë ka pasur mundësi t’i ndjekë nga afër të gjitha punimet që janë bërë.
“Puna të cilën ne e bëjmë është shumë e rëndësishme për faktin se vetë rëndësia e projektit është shumë e madhe. Kjo rrugë do të bëjë lidhjen mes shtetit të Kosovës dhe Maqedonisë, ku përveç lehtësirave për qarkullim të qytetarëve të të dy shteteve, do të ketë ndikim edhe në zhvillimin e ekonomisë se tregut të lirë”, sqaroi Mustafa.
Ai sqaroi se angazhimi në Bechtel & Enka e ka bërë më të përgatitur profesionalisht, andaj ndjehet i lumtur që këtë angazhim ia mundësuan profesorët dhe kolegët në UBT.
“Është eksperiencë e mirë të përballësh me probleme nga më të ndryshmet nga fusha inxhinierike, kjo sepse mëson se si t’i qasesh atyre dhe se si të japësh zgjidhjen më të mirë të mundshme”, theksoi Mustafa.
Sipas tij, pa njohuritë akademike të fituar gjatë studimeve në UBT, vështirë se do të kishte këtë diapazon kaq të gjerë të informacioneve mbi profesionin e tij, dhe falë kësaj, ai konsideron se është i gatshëm për të nisur edhe studimet e doktoraturës.
Programi master në Inxhinieri të Ndërtimit dhe Infrastrukturës është më i madhi i kësaj fushe studimi në Kosovë dhe rajon, teksa pothuajse 100% e studentëve të këtij niveli janë të punësuar në tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës, shumë prej të cilëve edhe kanë kryer punë praktike njëmujore në kompaninë Bechtel & Enka.