Covid-19 mund t’i infektojë qelizat që prodhojnë insulinë në pankreas dhe mund t’ua ndryshojë funksionin atyre, duke shpjeguar potencialisht pse disa njerëz që më parë kanë qenë të shëndoshë janë diagnostikuar me diabet pas infektimit me koronavirus.
Mjekët janë gjithnjë më të shqetësuar për rritjen e numrit të pacientëve që janë diagnostikuar me diabet qoftë gjatë kohës sa kanë qenë të infektuar me koronavirus, qoftë pak kohë pas shërimit, shkruan The Guardian.
Disa teori kanë qarkulluar për ta sqaruar këtë rritje. Njëra prej tyre është se virusi i infekton qelizat e pankreasit përmes receptorit të njëjtë, ACE2, që gjendet edhe në qelizat e mushkërive, dhe ndërhyn në aftësinë e tyre për ta prodhuar insulinën – hormon që e ndihmon organizmin për ta rregulluar nivelin e glukozës në gjak.
Ndryshe, një reagim i harbuar i antitrupave ndaj virusit ka mundësi që aksidentalisht t’i dëmtojë qelizat e pankreasit ose inflamacioni në pjesë të tjera të trupit mund t’i bëjë indet më pak reaguese ndaj insulinës.
Për ta hulumtuar këtë, profesoresha Shuibing Chen nga një shkollë mjekësie në Nju Jork hulumtoi qeliza të ndryshme dhe organoide – grupe qelizash të rritura në laborator që e imitojnë funksionin e organeve – për të parë se cilat mund të infektohen me koronavirus. Sipas rezultateve, mund të infektohen organoidet e mushkërive, zorrëve, zemrës, mëlçisë dhe pankreasit si dhe qelizat e trurit, të cilat prodhojnë dopaminë.
Eksperimentet e mëtejme zbuluan se qelizat beta, që prodhojnë insulinë brenda pankreasit, ishin gjithashtu të ndjeshme dhe se posa infektohen, prodhojnë më pak insulinë dhe hormone që zakonisht prodhohen në qeliza të ndryshme të pankreasit.
“Ne e quajmë këtë trans-diferencim. Ato (qelizat) në thelb po e ndryshojnë fatin e tyre qelizor, pra, në vend se të jenë qeliza beta themelore që lëshojnë shumë insulinë, ato fillojnë të përziejnë hormone të ndryshme. Kjo mund të sjellë njohuri të mëtejme për mekanizmat patologjikë të Covid-19”, tha profesoresha Chen.
Shkencëtarët kanë vërejtur një fenomen të ngjashëm edhe te disa individë me diabet të tipit 2, ndonëse kjo sëmundje është më shumë e lidhur me uljen e reagimit të indeve trupore ndaj insulinës.