Sipas dy studimeve të kryera në Izrael, vaksina e kompanive Pfizer dhe BioNTech e pakëson në masë të konsiderueshme përhapjen e Coronavirusit.
Në bazë të studimit të kryer nga Ministria e Shëndetësisë e Izraelit dhe kompania Pfizer, vaksina e kompanisë amerikane e pakëson përhapjen e rasteve pa simptoma për 89.4 për qind, ndërsa përhapjen e rasteve me simptoma për 93.7 për qind.
Të gjeturat e studimit që ende nuk është vlerësuar nga shkencëtarët e tjerë, por që janë mbështetur në një bazë kombëtare të të dhënave që është një ndër më të avancuarat në botë, së pari u publikuan nga faqja izraelite e lajmeve, Ynet.
Një studim tjetër, i kryer nga Qendra Mjekësore “Sheba” në Izrael dhe i publikuar të premten në revistën shkencore “Lancet”, tregoi se në mesin e 7.214 anëtareve të stafit të një spitali që e morën dozën e parë të vaksinës në janar, pati 85 për qind pakësim të rasteve me Covid-19 me simptoma brenda 15 deri 28 ditëve.
Për të arritur në një përfundim përfundimtar, nevojiten më shumë hulumtime, por këto studime janë ndër të parat që sugjerojnë se një vaksinë mund ta parandalojë përhapjen e koronavirusit të ri dhe jo vetëm që ta parandalojë sëmurjen e njerëzve, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Michal Linial, profesoreshë e biologjisë molekulare në Universitetin Hebre të Jerusalemit, tha se të gjeturat janë hap i madh drejt dhënies së përgjigjes ndaj njërës prej pyetjeve të rëndësishme për luftimin e pandemisë.
“S’ka rëndësi a është pakësim i përhapjes për 75 apo 90 për qind, është rënie e madhe e përhapjes. Kjo nënkupton që jo vetëm që individi i vaksinuar është i mbrojtur, por që vaksinimi gjithashtu ofron mbrojtje për ata që e rrethojnë”, tha ajo.