Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka organizuar tryezën “Indeksi i zhvillimit të sektorit të prodhimit”, raporton EkonomiaOnline.
Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se shifrat të cilat janë nxjerrë nuk janë edhe aq shpresëdhënëse.
“Studimi analizon gjendjen e sektorit të prodhimit në disa indikatorë nga fuqia punëtore, tregtia e brendshme, infrastruktura mbështetëse dhe qasjes së financave dhe infrastrukturën e cilësisë”, tha Zeka.
Zeka tha se rekomandimet në këtë analizë janë të bazuara edhe në studimet paraprake të OAEK.
“Rekomandimet që ne i japim është vazhdimi i masave fiskale dhe krijimi i lehtësirave tatimore në zhvillim”, tha Zeka.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se studimi i Odës Amerikane është shumë i vlefshëm dhe se i adreson pikërisht fushat ku duhet përmirësuar dhe se në të ardhmen këto pika do të jenë fokus i Ministrisë së Financave.
“Ne si qeveri dhe unë si ministër e marrë me shumë seriozitet sepse është studim që saktë identifikon fushat ku ne duhet të përmirësohemi, përveç që duhet të përmirësohemi ne jemi të koncentruar ne ruajtjen e një situate më të qëndrueshme dhe stabilitet fiskal”, tha Hamza.
“Kosova vazhdon të ketë pozitë të qëndrueshëm makro fiskal, borxh shtetëror më të ultin në rajon”, tha ai.
“Deficiti na tregon se kemi nevojë të ndërrojmë strukturën e reformës së ekonomisë tonë dhe të shkojmë në favor të kompanive prodhuese”, tha Hamza.
Këshilltari i Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Durim Limaj, tha se për MTI-në prioritet këtë vit është rritja e prodhimit dhe përkrahja e prodhimit vendës pasi që ata për një kohë të gjatë kanë qenë të diskriminuar.
“Rritja e prodhimit dhe përkrahje e prodhimeve është prioritet i këtij mandati qeverisës sepse për 20 vite prodhuesit kanë qenë të diskriminuar dhe janë favorizuar prodhuesit e huaj duke ngecur prodhimin dhe zhvillimin e vendit”, tha Limaj.
“MTI është e interesuar për të krijuar hapësirë të nevojshme prodhimit vendor në tregëtinë vendore këtë e kemi bërë përmes masave mbrojtëse, jemi në proces të hartimin te draft të ligjit për tregëti të brendshme që do të i adresoj cështjet që janë evidentuar në studimin tuaj dhe disa prej të cilave qëndrojnë”, tha ai.
Udhëheqësi i Institutit për Hulumtime Ekonomike të Odës Amerikane, Visar Hapçiu, ka bërë prezantimin e studimit të Indeksit të Prodhimit 2019.
“Janë anketuar 40 kompani prodhuese, pjesëmarrjen më të madhe në anketim e ka pasur Prishtina dhe Prizreni, përbërja e masës në të punësuar pjesa më e madhe e të anketuarve kanë pasur 50-200 punëtorë”, tha Hapçiu.
“Indeksi i fuqisë punëtore ka shënuar 4.88 nga gjithsej 10 që mundet të jetë në indeks, i kemi pyet kompanitë për mjedisin fiskal ata kanë mendim të mirë për normat tatimore në Kosovë duke i konsideruar ato të përshtatshme dhe arsyeshme dhe shohim një qasje më pozitive sa i përket mjedisit fiskal në vend”, tha ai.
Sipas studimit Sundimi i ligjit u vlerësua me 4.19, tregtia e brendshme 4.34, Qasja ne financave 4.83, Infrastruktura e cilësisë 4.87, Fuqia punëtore 4.88, Infrastruktura mbështetëse 4.98, mjedisi fiskal 5.48 dhe tregtia ndërkombëtare me 6.42.
“Sipas vlerësimit të indekseve, vlerësimin më të mirë e ka marrë mjedisi fiskal dhe tregtia ndërkombëtare, ndërsa ajo me e dobëta është sundimi i ligjit dhe tregtia e brendshme”, tha Hapciu.
Hapciu tha se fondet e IPA-s duhet të investohen më mirë dhe se duhet luftuar korrupsioni pasi që po i shkakton mjaft dëm vendit.
“Duhet të shtohet lufta kundër korrupsionit, nuk shohim perceptim të bizneseve në fenomenet e tilla kjo na ka shkaktua dëme si shtet dhe perceptimi i korrupsionit dhe mundësitë e investimeve në sektorin privat në përgjithësi zbehen”, tha Hapçiu.