Studimi i ri tregon se si COVID-19 ndikon në zemër

Prishtinë | 13 Kor 2020 | 18:41 | Nga Ekonomia Online

Pasojat potenciale afatgjata të COVID-19 dhe mënyra se si kjo sëmundje mund të ndikojë tek truri i të infektuarve tashmë ka qenë pjesë e studimeve.

Por, studiuesit tani thonë se kjo sëmundje mund të shkaktojë edhe probleme kardiake tek pacientët e shtrirë.

Një studim i ri i Universitetit të Edinburghut, me mbi 1.200 pacientë në 69 shtete ka gjetur se më shumë se gjysma e të gjithë pacientëve kanë shfaqur abnormalitete në zemër, teksa 15 për qind kanë pasur çrregullime të rënda.

Studiuesit kanë tërhequr vërejtjen se studimi ka përfshirë vetëm të sëmurit rëndë me COVID-19, përderisa shumica e të infektuarve kanë vetëm simptome të buta.

Hulumtuesi kryesor i studimit, profesori Marc Dweck ka thënë për BBC-në se hulumtimi shënon “mundësi tejet të rëndësishme që ne të përmirësojmë kujdesin për pacientë”, transmeton KOHA.

“Ndonëse këto çrregullime në zemër paraqesin problem tejet serioz për ata pacientë dhe ka gjasa të përcaktojnë nëse ata do të mbijetojnë, ne kemi trajtime shumë të mirë”, ka thënë ai.

Të ngjashme