Një grup studiuesish nga Universiteti Edinburgh në Mbretërinë e Bashkuar kanë zbuluar një metodë kimike ku nxjerrin arin nga pajisjet e vjetra telefonike që nuk përdoren më.
“Ari përdoret për kontaktet elektrike dhe për pjesët mikro-elektronike të celularëve tanë,” thotë Jason Love, një nga profesorët e Departamentit të Kimisë së Universitetit. “Por ka edhe metale të tjerë si bakri, hekuri, kallaji, plumbi, platini dhe të tjerë që përdoren po për këtë qëllim. Pajisjet përmbajnë raporte të ndryshme të këtyre materialeve, në varësi të rolit që kryen secili. Për shembull sasia e bakrit në një celular të zakonshëm është rreth 8000 herë më e madhe se ajo e arit. Sfida jonë është të nxjerrim arin e pastër nga këto pajisje, për ta përdorur atë përsëri.”
“Duke mbledhur shumë celularë të vjetër që nuk përdoren më, sasia e arit të nxjerrë nga ato është shume e lartë. Çdo vit përdoren rreth 300 tonë ar në pajisjet elektrike dhe rreth 7% e arit botëror gjendet në pajisjet e papërdorura tashmë si telefona, celularë dhe kompjuterë.”
Procesi i nxjerrjes së arit fillon me zhytjen fillimisht të telefonave në një acid të dobët që i shkëput ata nga pjesa metalike. Pastaj u hidhet sipër një lloj materiali tjetër i lëngët i cili bashkohet me arin dhe më vonë në laborator merret vetëm ari i pastër.