Studiuesit shqiptarë ankohen se iu mungon mbështetja institucionale

Prishtinë | 02 Sht 2017 | 11:07 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në konferencën shkencore të organizuar nga Instituti i studiuesve shqiptarë “Alb-Shkenca”, që po mbahet në Prishtinë, u tha se qeveritë shqiptare nuk kanë treguar interes të mjaftueshëm për mbështetjen e kërkimit shkencor.

Drejtori i Institutit “Alb-Shkenca”, Gentian Zymberi, tha se në këto 10 vitet e fundit nuk i është dhënë vëmendje e duhur kërkimit shkencor, as nga institucionet dhe as nga aktorët e tjerë që nuk e kanë ngritur zërin për këtë. Ai tha se mungojnë fondet për të mbështetur kërkimin shkencor, gjithashtu mungojnë kushtet në laboratore dhe të tjera.

“Shqipëria Kosova më shumë janë zvarritur sesa kanë ecur ose vrapuar në këto vite të tranzicionit në këtë aspekt… Duke gjykuar ajo çka ka ndodhur në dhjetë vitet e fundit unë e nuk e shoh që do të ketë një përmirësim të shpejt në të ardhmen”, tha Zymberi.

Ai theksoi se kërkimi shkencor kërkon fonde, dhe se diaspora intelektuale mund të ndikojë apo kontribuojë në zhvillimin e kërkimit shkencor.

Në vazhdim, Zymberi radhiti disa nga arsyet se përse nuk është kërkimi shkencor i zhvilluar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni:
– Mungesa e kushteve formale. Sipas tij, bibliotekat dhe laboratorët nuk kanë kushte, sepse mungon vëmendja institucionale.
– Mosvlerësimi i kërkimit shkencor. Sipas Zymberit, dhënia mësim është aktiviteti kryesor që financohet në këto tri vende dhe kërkimi shkencor për shkak të kësaj do të vazhdojë të mbetet i dobët.

“Nuk është sekret se buxheti për këtë është i ulët dhe pavarësisht përpjekjeve tona mundësitë e institucioneve tona kanë qenë të kufizuara. Fondet për kërkime shkencore asnjëherë nuk janë rritur. Stafi akademik nuk e ka ngritur zërin aq sa duhet për të ngritur zërin për këtë”, u shpreh Zymberi.

Takimi organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë të Kosovës (MAShT).

Ministri në detyrë i MAShT-it, Arsim Bajrami, i cili përshëndeti hapjen e takimit, tha se kjo konferencë është një mundësi e mirë e përparimit shkencor, me rëndësi për Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Bajrami u pajtua se duhet të rriten fondet për shkencë dhe të mbështeten shkencëtaret e rinj që përmes zhvillimit të inovacionit të ndihmojnë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Por, nuk duhet të kufizohemi vetëm në qeveritë, të cilat nuk kanë fonde të mjaftueshme, por të shohim edhe mundësi të tjera. Kosova sivjet është pranuar në programin Erasmus + e cila do t’iu japë mundësinë shkencëtarëve tonë të rinj që të kenë qasje në këto fonde”, tha ministri.

“Unë pajtohem që universitetet fokusohen më shumë në sistemin klasik, pra në mësimdhënie dhe jo një kërkimin shkencor, i cili duhet të jetë edhe i rregulluar me ligj, sepse qëllimi i universiteteve është edhe zhvillimi i mendimit shkencor”.

Me qëllim që ta stimulojmë shkencën duhet të dijmë se çka është shkenca, përse duhet të zhvillohemi në këtë drejtim, cilat lloje të shkencave të zhvillojmë dhe çka të stimulojmë dhe të shohim përparësitë që i kanë vendet tona”, tha ministri i Arsimit.

Ky është takimi i 12-të vjetor i Institutit “Alb-Shkenca”. Gjatë tri ditëve do të organizohen 11 konferenca shkencore.


Të ngjashme