Një nga tajfunet më të mëdhenj që ka goditur ndonjëherë Japoninë, ka mbërritur tashmë në ishullin jugor të Kyushu.
Tajfuni Nanmadol ka sjellë erëra me shpejtësi 180 km/h , teksa të paktën katër milionë njerëzve u është thënë të evakuojnë shtëpitë e tyre.
Si pasojë e tajfundit priten përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dheu, ndërsa shërbimet e trenave, tragetet dhe qindra fluturime janë anuluar.
Ishulli i Kyushu është më jugori nga katër ishujt që përbëjnë pjesën kryesore të Japonisë dhe ka një popullsi prej më shumë se 13 milionë njerëz.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se Nanmadol do të sillte shira të rrëmbyeshëm, stuhi përgjatë bregdetit dhe erëra aq të fuqishme sa që ekzistonte rreziku që shtëpitë mund të shemben.
Tajfuni pritet të udhëtojë përmes Japonisë qendrore drejt Tokios gjatë ditëve në vijim dhe të ruajë pjesën më të madhe të fuqisë së tij ndërsa lëviz.
Kërcënimi më i madh për jetën dhe pronën është nga shiu, i cili tashmë po shkakton ngritjen e lumenjve dhe mund të lëshojë toka dhe rrëshqitje balte.
Nanmadol është tajfuni i 14-të i Paqësorit këtë sezon, dhe deri tani më i madhi që ka goditur Japoninë.