Kombëtarja e Suedisë e ka nisur me fitore Kampionatin Botëror duke triumfuar me rezultat 1-0 kundër Koresë së Jugut.
Marcus Berg ishte më i rrezikshëm në gjysmën e parë, mirëpo nuk arriti që ta gjente rrjetën për përfaqësuesen skandinave.
Pas një ndërhyrjeje të gabuar të Min-Woo Kim, gjyqtari e konsultoi teknologjinë VAR dhe akordoi penallti për suedezë.
Andreas Granqvist e mori përgjegjësinë dhe u tregua i saktë nga pika e bardhë duke e zhbllokuar rezultatin (65′).
Në minutat në vazhdim nuk pati gola të tjerë, ashtu që penalltia e vendosi triumfin dhe arkëtimin e tri pikëve të para për Suedinë.
Gjermania dhe Meksika janë dy përfaqësueset tjera që bëjnë gara në Grupin F. El Tri fitoi ndaj kampionit në fuqi në ndeshjen e parë.
Në këtë mënyrë, kreu i tabelës në këtë grup ndahet ndërmjet Suedisë dhe Meksikës. Në xhiron e ardhshme, Korea e Jugut luan kundër meksikanëve, ndërsa suedezët kanë për kundërshtar Die Mannschaft.