Ish-epidemiologia shtetërore suedeze e ka thyer heshtjen rreth strategjisë kundërthënëse të shtetit të saj gjatë pandemisë, duke thënë se tani ajo beson që autoritetet është dashur të vënë kufizime më të ashpra në fazat e para të pandemisë, për ta vënë nën kontroll virusin.
Annika Linde, që kishte pasur nën mbikëqyrje reagimin suedez ndaj grupit të derrave dhe SARS-it, gjatë viteve 2005-2013, deri më tani ka qenë përkrahëse e strategjisë së shtetit të saj nën pasuesin e saj, Anders Tegnell.
Por, ajo tani është shkëputur nga kjo linjë, duke thënë se ka ndërruar mendje si rezultat i numrit relativisht të lartë të viktimave në Suedi, krahasuar me atë të shteteve fqinje, Danimarkes, Norvegjisë dhe Finlandës.
“Mendoj se është dashur t’i kushtojmë më shumë kohë gatishmërisë. Po të ishim mbyllur më herët… do të kishim qenë në gjendje gjatë asaj kohe të sigurohemi se do të mund t’i mbronim të gjithë”, ka thënë Linde për “Observer”.
Për dy ditë rresht, gjatë javës së kaluar, Suedia kishte numrin më të lartë të vdekjeve për kokë banori në botë.