Për shkak të mungesës së frymës reformuese dhe shqetësimit për respektimin e të drejtave dhe lirive, Suedia ndërpret një pjesë të mbështetjes për institucionet shtetërore në Serbi dhe e ridrejtim fondet drejt shoqërisë civile.
Qeveria e Suedisë ka vendosur të “përshtatë mbështetjen” për Serbinë në kuadër të Strategjisë për partneritet reformues të Suedisë me Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, është bërë e ditur në faqen zyrtare të parlamentit suedez.
Kjo vendim do të thotë se disa pjesë të mbështetjes për institucionet shtetërore në Serbi pezullohen, ndërsa mbështetja do të përqendrohet më shumë në forcimin e shoqërisë civile.
“Zhvillimet në Serbi po shkojnë në drejtimin e gabuar. Kjo vlen për gjithçka, nga korrupsioni në rritje deri te mosrespektimi i parimeve të shtetit të së drejtës. Vendet nuk mund të presin mbështetje suedeze nëse nuk zbatojnë reformat dhe zhvillimin që ne presim. Prandaj po ndërmarrim këto ndryshime,” tha ministri suedez për ndihmën zhvillimore dhe tregtinë e jashtme, Benjamin Dousa.
Qeveria e Suedisë po ndjek me kujdes zhvillimet në Serbi dhe prej kohësh ka vërejtur mungesë të vullnetit reformues nga ana e Qeverisë serbe.
“Kjo lidhet posaçërisht me zbatimin e parimeve të shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore, si liria e shprehjes dhe liria e mediave. Duke e pasur këtë parasysh, qeveria ka vendosur të rishqyrtojë mbështetjen për Serbinë, në përputhje me parimet e zgjerimit të Bashkimit Evropian që bazohen në merita. Kjo do të thotë që vendet që përparojnë dhe tregojnë vullnet për reforma shpërblehen, ndërsa mbështetja mund të reduktohet ose të pezullohet për vendet që nuk i respektojnë të drejtat themelore ose që ngecin në zhvillimin demokratik. Prandaj, qeveria ka vendosur të ndalojë disa forma mbështetjeje për shtetin serb dhe të ridrejtojë fondet drejt forcimit të shoqërisë civile”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Suedisë.