Organet e ndjekjes ende nuk i kanë rënë në gjurmë djalit të Durim dhe Suada Hadrit, të cilët u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në Prizren, dy ditë pasi kishin ardhur për pushime nga Suedia. Sipas informacioneve të Policisë së Kosovës, i njëjti ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe ka shkuar në Greqi. Prokuroria po pret ardhjen e tij për të zbardhur rrethanat e këtij rasti.
Pushimet e këtij viti dolën të ishin të fundit për Durim e Suada Hadrin, që jetonin e punonin në Suedi tash e sa vite.
Vetëm dy ditë pas ardhjes në Kosovë, çifti bashkëshortor u qëllua për vdekje me armë zjarri, në shtëpinë e tyre në Ortakoll të Prizrenit.
Afër trupave të tyre u gjetën dhe u konfiskuan një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja.
Por, se kush e kreu vrasjen dhe se cili ishte motivi, ende nuk po dihet.
I vetmi detaj që dihet deri tani është se çifti jetonin me djalin e tyre të vogël, A.H, i cili deri tani nuk dihet se ku ndodhet.
Në Prokurorinë Themelore të Prizrenit deklarojnë se ata janë në kërkim të djalit të çiftit për të zbardhur rrethanat e këtij rasti.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Fitore Mehmeti, i ka thënë Gazetës Express se viktimat kanë qenë duke jetuar së bashku me djalin e tyre të vogël A.H, i moshës 35 vjeçare, i cili në ditën kritike nuk është gjetur në shtëpi.
Sipas informatave të policisë, ai dyshohet se ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe ka shkuar në Greqi. Deri tash, nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e saktë të tij.
“Në bazë të informatave të siguruara nga ana e policisë, dyshohet se i njëjti ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe pastaj ka vajtur në Greqi. Prokuroria është në kërkim të personit në fjalë dhe në momentin që organet e ndjekjes arrijnë ta sigurojnë prezencën e tij, atëherë do të veprojë konform dispozitave ligjore deri në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike dhe sqarimit të të gjitha rrethanave të cilat janë relevante mbi zbardhjen e këtij rasti”, thuhet në përgjigjet e Mehmetit drejtuar Gazetës Express.
Vrasja e çiftit që jetonte në Stokholm dhe kishte shtetësi suedeze, është bërë lajm në mediat e këtij shteti.
Policia suedeze ka thënë se është e përfshirë në hetime.
“Siç ndodh zakonisht për ngjarje që ndodhin jashtë vendit, janë autoritetet lokale që merren me hetimet paraprake. Policia suedeze është duke ndihmuar në këtë rast”, ka thënë zëdhënësja Nadia Jaber.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Linn Duvhammar ka thënë se Qeveria suedeze është në dijeni të ngjarjes.
Ndryshe, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, që ka siguruar Gazeta Express, vetëm gjatë vitit të kaluar në vend kanë ndodhur 17 vrasje, 10 prej të cilave kishin qenë vrasje të rënda.
Bazuar në këto të dhëna, shumica e këtyre vrasjeve kanë ndodhur në Prishtinë dhe Prizren. Ndërkohë, në qytetin i cili më parë përmendej për vrasjet e shumta që ndodhnin, gjatë 2029’s nuk është kryer asnjë vrasje.