Kuvendi i komunës së Suharekës ka nxjerrë një deklaratë ku është shprehur kundër kthimit të serbëve në fshatin Mushtisht pa u plotësuar disa kushte.
Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Suharekës, Alush Shala në një lidhje direkte në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova ka treguar se deklarata ka qëllim sensibilizues.
“Kjo deklaratë përmban kërkesat e banorëve të cilët i kanë familjarët e zhdukur dhe kanë dalë nga lufta shkatërrimtare me pasoja materiale si dhe pasoja në aspekte të tjera”.
Shala ka thënë se banorët e këtij fshati gjithmonë kanë kundërshtuar kthimin e serbëve.
“Kjo është hera e parë që dalim me një deklaratë për sensibilizim të opinionit derisa trazira ka pasur sa herë që serbët kanë tentuar të kthehen në fshat”.
Ai ka thënë se deklarata është si pasojë e mos reagimit të duhur të institucioneve.
Sipas Shalës, kjo deklaratë ka qenë e harmonizuar me të gjitha grupet politike të Kuvendit Komunal derisa ka shtuar se e njëjta pritet t’i adresohet Ministrisë së Kthimit.