Suhareka po përballet me mungesë të fuqisë punëtore

Prishtinë | 15 Dhj 2018 | 08:26 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Si shumë komuna të tjera edhe komuna e Suharekës po e përmbyllë këtë vit e ballafaquar me sfida, por e përcjellur edhe me shumë suksese. Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj, tregon se kur e mori mandatin e tij, këtë komunë e gjeti me shumë probleme e parregullsi.

Buxheti i komunës së Suharekës pothuajse ishte “shterur”, e për këtë Muharremaj kishte ftuar edhe partitë politike për gjetjen e një zgjidhjeje. Ndonëse me vonesë, kërkesa e Muharremaj kishte gjetur zbatim dhe aprovim në komisionin për buxhet dhe financa.

“Kur e kam marrë detyrën nuk ka pas buxhet për këtë komunë për vitin 2018 pastaj është dashtë të i thërrasim partitë politike. Kemi bërë kërkesë tek komisioni për buxhet dhe financa, buxheti është aprovuar, por është aprovuar me vonesë rreth 3 muajsh”, tha Muharremaj për Ekonomia Online.

Pasi që kjo komunë kishte marrë veten, kishin filluar edhe investime dhe projekte të ndryshme në fushën e shëndetësisë, arsimit, ekonomisë dhe bujqësisë.

Muharremaj kishte premtuar edhe 310 vende pune në sektorin e bujqësisë, por që në këtë drejtim kishin hasur në disa probleme, pasi që sipas Muharremajt, Suhareka ka mungesë të fuqisë punëtore, pasi që banorët e kësaj zone nuk janë të interesuar për punë.

“Tek bujqësia pata premtuar 310 vende të punës, por për fat të mirë këtë vit kemi fituar më shumë njerëz për punë, por kemi problem me gjet njerëz të cilët punojnë”, tha ai.

Muharremaj tha se në fushën e arsimit kishin marrë një vendim të madh i cili do e reduktonte çështjen e mungesave në shkolla.

Kjo komunë kishte marrë vendim që për profesorët dhe arsimtarët të cilët do vonoheshin në orët mësimore do u hiqej 5 euro nga paga e tyre për çdo orë të humbur.

Nga ana tjetër, paga shtesë u premtoi atyre që do i mbanin orët plotësuese në shkollat e Suharekës.

“Për herë të parë kemi marrë vendim që të gjithë arsimtarët dhe profesorët të cilët vonohen do ti hiqet 5 euro nga paga, me këtë arsye ka rënë numri i mungesave të profesorëve për 200 %. Te arsimi na pret punë e madhe prandaj kemi vendosë që ta vendosim mësimin shtesë atë plotësues në të gjitha shkollat pasi që kemi mjete, dhe të gjithë profesorët që mbajnë orë shtesë do të paguhen”, tha Muharremaj.

Sfidë për këtë komunë mbetet çështja e vërshimeve me të cilën komuna e Suharekës u përball këtë vit, e që dëmi i këtyre vërshimeve nuk po del të jetë i vogël.

Pas vlerësimit të dëmeve prej 6.5 milionë euro, kryetari i Suharekës Bali Muharremaj u detyrua menjëherë të drejtohet tek Qeveria e Kosovës.

Kjo e fundit i ndau kësaj komune 1.1 milion euro nga buxheti i shtetit.

“Sfidë tjetër që vlen të përmendet janë vërshimet, që kanë ndodhë këtë vit, kemi pas dëme rreth 6.5 milion euro. Falënderoj qeverinë e Kosovës që na ka ndihmuar rreth vërshimeve me një shumë rreth 1.1 milion euro që së paku të i paguajmë dëmet në amvisëri”, tha Muharremaj

Por, kur kishte ardhur puna tek ndarja e buxhetit, komuna e Suharekës e kishte pasur goxha problem çështjen e ndarjes së fondeve për mjete bujqësore.

Muharremaj thotë se kjo çështje ka mbet në mëshirën e Qeverisë së Kosovës.

“Në bujqësi nuk kemi mund të iu ndihmojmë pasi që nuk kemi pas fond, për arsye se planifikimi për buxhet bëhet një vit përpara, tash do të shohim se a do mund të kontribuojë diçka Qeveria e Kosovës”, tha ai për Ekonomia Online.

Edhe pse Suhareka sipas Muharremajt po përballet me mungesën e fuqisë punëtore, ajo këtë vit ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ku parashihet të ndërtohet parku industrial e i cili kap shifrën e 2.3 milionë eurove.

Përmes këtij projekti komuna e Suharekës ka bërë plan që të hap 600 vende pune.

“Kemi filluar shtimin e 600 punëtorëve në moment që përfundon parku industrial, kemi një memorandum bashkëpunimi me MTI-në, punimet kanë filluar, vlera është rreth 2.3 milion euro dhe mendojmë që në momentin që kryhet ajo zonë do të bëhet edhe shtimi i punëtorëve”, tha Muharremaj.

Komuna e Suharekës këtë vit ka nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për Eko turizëm në Bjeshkët e Sharrit si dhe rregullimin e shtratit të lumit në fshatin Mushtisht.

 

Të ngjashme