Jerusalemi është një vend i shenjtë si për çifutët ashtu edhe për të krishterët e myslimanët. Si i tillë u bë simbol për bashkëjetesë të religjioneve e, në bazë të saj Sarajeva u quajt “Jerusalemi evropian”. Por, megjithatë, kjo bashkëjetesë ndonjëherë cenohej me diskriminime të ndryshme, varësisht prej shteteve që sunduan në Lindjen e Mesme duke përfshirë Jerusalemin, shkruan sot “Koha Ditore”.
Një prej këtyre shteteve është Sulltanati ose Shteti i mamlukëve (1250-1517), që sundoi një hapësirë të madhe të Lindjes së Mesme, duke përfshirë Egjiptin, Arabinë, Leventin dhe një pjesë të Anadollisë Jugperëndimore.
Ky ishte unik në historinë e rajonit, sepse klasa sunduese, prej nga vinin sulltanët, ishin “mamlukët” ose djemtë e rrëmbyer në Ballkan, Kaukaz dhe Azinë Qendrore, që janë sjellë në Egjipt dhe islamizuar e trajnuar për shërbimet ushtarake e administrative. Shumica e sulltanëve të këtij shteti ishin çerkezë e turq, por kemi edhe dy sulltanë shqiptarë ose arnautë sipas burimeve vendase të asaj kohe.
I pari ishte Hoshkadem, i cili sundoi gjatë viteve 1461-1467. Kuptohet, emri i tij origjinal (shqiptar) nuk dihet pasi që fëmijët që merreshin si robër islamizoheshin dhe merrnin emra të rinj. Sa për përkatësinë e tij etnike, historiani egjiptian i asaj kohe Muhammad Ibn Ijas (1448-1523) thotë shprehimisht se ai ishte arnaut.
Historiani tjetër egjiptian i asaj kohe Jusuf Ibn Tigri Birdi (1409-1470) kishte lidhje të ngushtë me të dhe e lavdëron shumë si “sulltani i mençur, i respektuar, i ditur, i durueshëm, që di si të qeverisë, i respekton shumë dijetarët dhe ngrihet në këmbë kur i vijnë” .