Një makinë ka goditur këmbësorët në parkun Finsbury, pranë një xhamie, në veri të Londrës, duke vrarë një person dhe duke plagosur disa të tjerë, ka deklaruar policia.
Policia britanike është duke bërë hetime nëse ka mundësi që sulmi të jetë terrorist.
“Një person ka vdekur në vendin e ngjarjes”, ka thënë polica, duke shtuar se dhjetë persona janë lënduar, dy duke u trajtuar ku ka ndodhur sulmi, ndërsa tetë të tjerë në spital.
Policia ka thënë se një person është arrestuar pasi dëshmitarët kanë thënë që sulmi që ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, të ketë qenë i qëllimshëm.
I arrestuari është një 48 vjeçar, që dyshohet se e ka kryer sulmin. Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në spital për vlerësim të gjendjes së tij mendore.
Policia e shpallur sulmin si një “incident të madh, derisa gazeta The Guardian ka raportuar se policia britanike kundër terrorizmit ka ardhur për të ndihmuar hetimet.
Autoritet në Britani kanë thënë se ngasësi i automjetit “ishte ndaluar fillimisht nga personat afër vendit të sulmit dhe më pas ai është arrestuar nga policia”.
Këshilli Mysliman i Britanisë ka thënë përmes Twitterit se incidenti ndodhi pranë xhamisë në Parkun Finsbury dhe se një furgon “qëllimisht” goditi personat që ishin duke dalur nga xhamia. Këshilli u ka bërë thirrje autoriteteve të rrisin sigurinë rreth xhamive.
Kryeministrja Theresa May ka deklaruar se mendimet e saj janë me ata që janë lënduar në “këtë incident të tmerrshëm”.
“Të gjitha mendimet e mia janë me ata që janë plagosur, të dashurit e tyre dhe shërbimet e emergjencës në vendngjarje”, ka thënë ajo.
Udhëheqësi britanik i opozitës Jeremy Corbyn, ka thënë se është “krejtësisht i tronditur” nga ky incident.
Kohën e fundit, Britania është duke u përballur me disa sulme terroriste, duke përfshirë sulmin më 3 qershor në të cilin u vranë tetë persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në Urën e Londrës dhe në afërsi të Borough Market.