Të paktën tetë persona, përfshirë pesë fëmijë, janë vrarë gjatë sulmeve ajrore të forcave ruse në një shkollë ku ishin strehuar civilët e zhvendosur në veriperëndim të Sirisë. Shifrën e viktimave e dha një grup vëzhgues.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se cak i sulmeve ajrore ruse ishte fshati Jubass në provincën e Idlib-it.
Të përkrahur nga ajri nga forcat ruse, ushtria siriane filloi një ofensivë të re në bastionin e fundit të rebelëve javën e kaluar, duke shkaktuar zhvendosje masive të civilëve drejt zonave më të sigurta afër kufirit me Turqinë.
Trupat siriane tashmë ndodhen më pak se katër kilometra larg një qyteti të kontrolluar nga rebelët. Ky qytet shtrihet afër një autostrade të rëndësishme që e lidh kryeqytetin Damask me qytetin verior të Aleppo-s. Qëllimi i forcave qeveritare është rihapja e kësaj autostrade, e cila është mbyllur për qarkullim nga rebelët që nga viti 2012.
Provinca e Idlib-it mbizotërohet nga militantët e lidhur me grupin “Al-Qaeda” dhe është vendbanim i rreth tre milionë civilëve.
Kombet e Bashkuara thonë që më shumë se gjysma e civilëve janë zhvendosur nga kjo provincë për shkak të sulmeve të vazhdueshme ajrore dhe shtimit të luftimeve mes palëve të konfliktit, shkruan “Free Europe”.