Shoqata e Bankave të Kosovës dhe Shoqata Shqiptare e Bankave kanë organizuar Forumin “Siguria Kibernetike në Industrinë Bankare”, raporton Ekonomia Online.
Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka theksuar se bankat kanë investuar në teknologjinë e fundit, kanë trajnuar stafin dhe kanë hartuar politika të sigurisë kibernetike.
Ai tha se për të identifikuar e parandaluar rreziqet nga sulmet kibernetike kanë themeluar Komitetin e Sigurisë Kibernetike, që sektori bankar të jetë i përgatitur mirë në mënyrë adekuate dhe për t’u përgjigjur kërcënimeve të tilla
“Siguria kibernetike si sfidë komplekse na kërkon të jemi të kujdesshëm dhe të përgatitur për të përballuar këto rreziqe. Në sektorin bankar ky është një sfond i rëndësishëm për të gjitha aktivitetet tona. Për të ndërtuar një mbrojte të mirë kibernetike, bankat kanë investuar në teknologjitë e fundit, në trajnimin e stafit dhe hartimin e politikave të sigurisë kibernetike”.
“Duke marr parasysh këta faktorë, Bordi i Shoqatës së Bankave, këtë vit ka vendosur të themelojë Komitetin e Sigurisë Kibernetike, ku qëllim kanë identifikimin dhe në mënyrë proaktive t’i parandalojë rreziqet e sulmeve kibernetike, duke siguruar që sektori bankar të jetë i përgatitur mirë në mënyrë adekuate dhe për t’u përgjigjur kërcënimeve të tilla”, u shpreh Balija.
“Aktivitet e ndërgjegjësimit që janë shumë të domosdoshme për publikun dhe për përdoruesit bankar, ka qenë një prej aktiviteti kryesor të këtij Komiteti”, tha tutje Balija.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tha se digjitalizimi ka ndikuar në përmirësimin e qasjes në shërbime dhe në cilësinë e tyre, raporton EO.
Ismaili theksoi se forcimi i sigurisë kibernetike në sektorin financiar është një prioritet i lartë dhe lidhet me stabilitetin financiar të vendit.
“Kërcënimi kibernetik vazhdon të evoluojë dhe të bëhet më kompleks në mesin e digjitalizimit të vazhdueshëm, rritjes së varësive nga palët e treta dhe tensionet gjeopolitike. Andaj, forcimi i sigurisë kibernetike në sektorin financiar është një prioritet që lidhet për stabilitetin financiar dhe jo vetëm. Ndikimi i tij shkon deri te siguria kombëtare”.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas mandatit ruan shëndetin e sistemit bankar dhe atë financiar në përgjithësi, i njeh dhe adreson me kujdes të shtuar aspektet e sigurisë kibernetike dhe rreziqet që vijnë nga to. BQK-ja njeh rëndësinë kritike të sistemeve të informacionit dhe sigurisë kibernetike në sektorin financiar, si dhe nevojën për masat mbrojtëse proaktive për të ruajtur stabilitetin dhe integritetin e institucioneve financiare”.
Sipas Guvernatorit Ismaili, BQK-ja është e zotuar të ngritë dhe avancojë kapacitet infrastrukturore dhe burimet njerëzore që lidhen me mbikëqyrjen e rreziqeve të teknologjisë informative, veçanërisht ato kibernetike.
“Do të investohet në ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore për të siguruar që sistemet, pajisjet, njohuritë, aftësitë dhe mjetet e personelit të mbeten relevante dhe efektive në mbikëqyrjen e rreziqeve të teknologjive të reja dhe modeleve inovative të biznesit. Forcimi i kapaciteteve të brendshme, do të bëhet bazuar në mbështetje të dakorduar përmes asistencës teknike nga ekipi i specializuar i Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët do të ndihmojnë në hartimin e kornizës strategjike, politikave dhe procedurave sipas standardeve më të mira botërore”.
Në këtë konferencë, i pari i BQK-së tha se pret që industria financiare, veçanërisht ajo bankare të adresojnë rrezikun kibernetik përmes strategjive, politikave dhe procedurave specifike, po ashtu të shtojnë vëmendjen për pronësinë e jashtme dhe prejardhjet e fondeve të partnerëve, kontraktorëve dhe klientëve, duke pasur parasysh rreziqet aktuale gjeostrategjike.
“Bankat dhe institucionet financiare duhet të kenë parasysh faktorët që të sigurojnë vazhdimësinë e biznesit, konfidencialitetin dhe integritetin e informacionit kur kontraktojnë shërbime nga palët e jashtme, si dhe të shtojnë vëmendjen për pronësinë e jashtme dhe prejardhjet e fondeve të kontraktorëve, partnerëve dhe klientëve, përmes mekanizmave adekuat të vëzhgimit dhe kujdesit, duke pasur parasysh rreziqet aktuale gjeostrategjike”, shtoi i pari i BQK-së.
Guvernatori Ismaili tha se Republika e Kosovës ka kapacitete të zhvilluara në aspektin shtetëror, por se kujdesi ndaj klientit dhe edukimit financiar luan rol të rëndësishëm në përcjelljen e mesazheve te të gjithë qytetarët.”Republika e Kosovës ka kapacitete të zhvilluara në aspekt shtetëror, ku edhe sektori financiar ka profesionistë të duhur për të arritur këtë qëllim. Edukimi financiar luan rol të rëndësishëm që këto mesazhe t’u përcillen të gjithë qytetarëve që të kenë kujdesin e duhur gjatë përdorimit të shërbimeve financiare në vend. Ky duhet të jetë objektiv i përbashkët”i.
Po ashtu, guvernatori i BQK-së kërkoi që adresimi i rreziqeve kibernetike të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet përkatëse të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë, por edhe institucione dhe autoritete përgjegjëse rajonale e ndërkombëtare. “Njëkohësisht edhe në aspektin ndërkombëtar e rajonal, me institucionet ndërkombëtare, rregullatorët e vendeve të rajonit, institucionet tjera, me qëllim të koordinimit dhe një platforme sa më të qëndrueshme për t’i bërë ballë me sukses këtyre rreziqeve dhe për të arritur objektivat tona”.
Ismaili tha se BQK-ja mbetet e përkushtuar për t’u koordinuar me rregullatorët, institucionet shtetërore dhe institucionet financiare në Kosovë.
“BQK-ja mbetet e përkushtuar për t’u koordinuar dhe ndarë informacionet me rregullatorët e tjerë, autoritetet publike përkatëse sikurse janë ato të sigurisë kombëtare, për mbrojtjen e të dhënave, për mbrojtjen e konsumatorëve, konkurrencën dhe të tjera”.