Kina ka reaguar pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, shkruan Gazeta Express.
Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying u ka kërkuar palëve që të përmbahen dhe që situata të mos dal nga kontrolli.
“Kina po monitoron nga afër situatën e fundit. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen për të parandaluar daljen e situatës jashtë kontrollit,” tha Hua Chunying, zëdhënëse në ministrinë e jashtme të Kinës.
Në një konferencë për media në Pekin, Hua u përgjigj edhe në pyetjet e gazetareve për veprimet e Rusisë, shkruan Reuters.
“Ky është ndoshta një ndryshim midis Kinës dhe juve perëndimorë. Ne nuk do të nxitojmë në një përfundim. Për sa i përket përkufizimit të një pushtimi, unë mendoj se ne duhet të kthehemi tek mënyra se si ta shohim situatën aktuale në Ukrainë. Çështja ukrainase ka një sfond tjetër historik shumë të ndërlikuar që ka vazhduar edhe sot. Mund të mos jetë ajo që të gjithë duan të shohin.”.