Njëri prej dy të dyshuarve për helmimin e ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij Yulia në Salisbury të Britanisë së Madhe është kolonel në shërbimin informativ ushtarak rus, GRU.
Ai ishte identifikuar më herët gjatë këtij muaji nga policia britanike si Ruslan Boshirov, por një hetim i ndërmarrë nga organizata investigative “Bellingcat” ka zbuluar edhe emrin e tij të vërtetë, i cili është Anatoliy Vladimirovich Chepiga.
Emri është konfirmuar edhe nga burime të tjera me njohuri mbi këtë çështje.
Chepiga, 39 vjeç, raportohet të ketë shërbyer në konfliktet e Çeçenisë dhe Ukrainës, ndërkohë që i është dhënë dekorata më e lartë shtetërore ruse, një nderim me titullin “Hero i Federatës Ruse”, në vitin 2014. Vlerësimi është bërë përmes një dekreti presidencial, me shumë gjasë për shërbimet e tij në Ukrainë.
Në një “cicërimë” në Twitter, të fshirë më pas, Sekretari britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson do të shprehej se “identiteti i vërtetë i njërit prej të dyshuarve të sulmit në Salisbury është zbuluar dhe rezulton të jetë një kolonel rus. Dua të falënderoj të gjithë njerëzit që kanë punuar pa u lodhur mbi këtë çështje”.
Ministria e Brendshme, e njohur si “Home Office”, as nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi raportimin mbi identitetin e vërtetë të të dyshuarit.
Qeveria britanike ka fajësuar Moskën për kryerjen e sulmit me agjentin nervor “Novichok” ndaj ish-agjentit rus, në datën 4 mars të këtij viti. At e bijë, Skripalët mbetën në gjendje kritike për jetën për një kohë të gjatë, pasi u gjetën të pandërgjegjshëm në një stol parku.
Pasi u trajtuan në spital për disa javë, ata dolën më në fund prej andej dhe tashmë rezultojnë të fshehur kushedi se ku. Megjithatë, Kremlini ka refuzuar gjithnjë pretendimet se ka qenë i përfshirë në helmimin me agjentin nervor.
Vetëm pak ditë pasi policia britanike publikoi emrat e Ruslan Boshirov dhe Alexander Petrov, si dy të dyshuarit e kapur nga kamerat e sigurisë pranë shtëpisë së Skripalëve, ata të dy dolën në një televizion rus të mbështetur nga Kremlini për të mohuar të kenë pasur lidhje me sulmin. Madje, ata të dy mohuan të ishin agjentë rusë, teksa thanë se ndodheshin në Salisbury në fillim të marsit si turistë, për të vizituar katedralen e famshme të qytetit të Salisburyt.
Duke reaguar për këtë intervistë të tyre, zëdhënësi i Theresa Mayt tha se komentet e të dyshuarve ishin “një ofendim”, madje “tejet i rëndë”. Veç dy Skripalëve, edhe oficeri i policisë Nick Bailey ra në kontakt me agjentin nervor, së bashku me dy persona të tjerë Charlie Rowley dhe Dawn Sturgess, me këtë të fundit që ndërroi më pas jetë.