Pas sulmit të 2 nëntorit të vitit 2020 në Vjenë, në mesin e të arrestuarve, në paraburgim ishte edhe një 16-vjeçar. Që nga dita e martë ai është liruar, por duhet të ndjekë një serë urdhëresash.
Pas terrorit në Vjenë, në të cilin shtetasi i dyfishtë austro-maqedonas me rrënjë shqiptare, K. F. (20-vjeçar) vrau katër persona dhe plagosi 23 të tjerë në qendër të Vjenës, disa persona të dyshuar u morën në paraburgim, shkruan “die Presse”. Njëri prej tyre, një kosovar 16-vjeçar, konsiderohej si i dyshuari thelbësor. Ky person u lirua nga paraburgimi të martën pasdite.
16-vjeçari jo vetëm që dyshohej se ishte anëtar i grupit terrorist i “Shteti Islamik” (sulmuesi i cili u qëllua nga policia dyshohej që ishte gjithashtu një anëtar i ISIS) – por gjithashtu dyshohej se ishte përfshirë edhe ai vetë në sulm. Të paktën ky ishte dyshimi fillestar. Sidoqoftë, hetimi ngeci, sepse telefoni celular i të dyshuarit nuk mund të zhbllokohej. Dhe, për të riun nuk u gjetën fakte as si bashkëpunëtor.
Deri më sot, 16-vjeçari para hetuesve për mbrojtjen e Kushtetutës, nuk ka pranuar të zbulojë kodin e tij të celularit. Edhe gjatë marrjes në pyetje ai ishte gjithmonë i heshtur. As me ndihmën e Europol-it, kodin nuk kanë arrit ende ta zhbllokojnë.
Në ndërkohë, situata aktuale e të riut është kthyer në të mirën e tij. Dyshimi i përfshirjes në sulmin e Vjenës nuk është konfirmuar. Kështu thuhet në një vendim të ri të një senati të përbërë nga tre gjyqtarë të Gjykatës së Lartë Rajonale në Vjenë: “Pavarësisht dyshimeve, dhe moszhbllokimit të celularit, njoftojmë se gjatë hetimit nuk u konfirmua dhe as nuk u vërtetua përfshirja e tij në ndonjë mënyrë në atentatin e Vjenës më 2 nëntor 2020”, raporton “die Presse”.
I riu sipas gazetës austriake ndonëse dyshohet se ende të jetë anëtar i ISIS, tani që ka fituar lirinë pas gjashtë muajsh paraburgim duhet të ndjek një sërë udhëzimesh. (Ai ende përballet deri me pesë vjet burg për shkak të anëtarësimit në IS). Përfaqësuesi ligjor Philipp Wolm thekson se, nga ana tjetër, dyshimi i përfshirjes në terrorin e Vjenës tashmë është jashtë tryezës. 16-vjeçari do të duhet të jetojë me prindërit e tij (në Vjenë) në të ardhmen. Kontakti me vëllain e tij, i cili poashtu dyshohet se është pjesë e organizatave islamike, apo vizita në xhami i lejohet vetëm në prani të mbikëqyrëseve nga Qendra e Këshillimit për Ekstremizmin. Ai duhet të jetë i pranishëm, sa herë që të ftohet nga prokuroria, transmeton albinfo.at.