Persona të armatosur sulmuan një autokolonë mjetesh në të cilën udhëtonte i dërguari amerikan në Bangladesh, në kryeqytetin Dhaka.
Ambasadorja Marcia Bernicat, dhe ekipi i saj i sigurisë, kishin mundur të largoheshin pa u lënduar, por mjetet e tyre ishin dëmtuar rëndë.
E gjithë kjo ndodhi ndërsa me mijëra studentë dhe nxënës shkollash vazhdonin protestën e tyre një javore me kërkesën për rrugë më të sigurta. Policia ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë turmat.
Dhjetëra protestues po ashtu janë lënduar në sulmet e regjistruara nëpër rrugë. Ambasadorja amerikane ndërkohë ka dënuar dhunën kundër protestuesve paqësor, një ditë më parë.