Mirlind Daku ishte padiskutim lojtari i ndeshjes në sfidën mes Kukësit dhe Flamurtarit. Me golin e tij talenti i Përfaqësueses së 21-vjeçarëve të Kosovës i dha 3 pikët skuadrës verilindore duke zëvendësuar siç duhet sulmuesin kryesor Vasil Shkurtaj i cili është i dëmtuar.
Pas ndeshjes, Mirlind Daku ka folur për ‘SuperSport’. Ai tha se ia ka vlejtur pritja për të shënuar gol dhe se pret të vazhdoj me të njëjtin ritëm.
Ia ka vlejtur pritja, për të parë golin e parë?
Po ia ka vlejtur, duke marrë parasysh që me golin tim morëm tre pikët, mendoj se ia ka vlejtur, pres të vazhdoj me të njëjtin ritëm.
Si ndjehesh kur ke një konkurrencë kaq të fortë, siç është ajo me Vasil Shkurtaj?
Është privilegj kur ke konkurrencë me një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit. Jo vetëm që punon më shumë, por edhe mëson nga ai në shumicën e kohës. Është një ndjenjë e mirë nuk është ndonjë gjë e keqe.
Bashkë me ty, portieri Xhika ishte një nga më të mirët në fushë, është e mirë apo keq për Kukësin?
Është normale, është pak keq kur portieri është në qendër të vëmendjes, dhe fokusi pastaj bie te mbrojtja. Edhe portieri e ka atë punën e tij, besoj që e ka bërë në mënyrën më të mirë, por edhe mbrojtja ka qenë shumë mirë sot.
Si e vlerësoni paraqitjen tuaj, dhe a do t’i kërkoni më shumë minuta Duros?
Paraqitja është e mirë kur shënon gol, është një ndjenjë e mire kur i jep tre pikët ekipit, unë gjithmonë e pres momentin tim, dhe është trajneri ai që vendos.
Daku si e ndjeve veten në atë moment, kur kishe kontaktin në zonën e Flamurtarit?
Besoj se ka qenë penallti. Në atë moment unë as nuk kam pretenduar se do të shkoj për penallti, në fund e ndjeva goditjen, percjell gazetametro.