Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që të dyshuarve L.D., K.H., dhe O.K., për sulm fizik ndaj gazetarit Valon Syla, t’ua ndërpresë masën e paraburgimit dhe t’ua zëvendësojë me masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej dy muajsh.
Lajmin për teve1.info e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Gashi tha se gjyqtari i procedurës paraprake sot ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtëve i është caktuar masa e arrestit shtëpiak deri më 12 korrik 2023.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Nxitja e përçarjes dhe mos durimit nga neni 141 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 12.05.2023 ka marr Aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, ashtu që të njëjtëve ju është zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, arresti shtëpiak vazhdohet deri me datën 12.07.2023, tha Gashi.
Zëdhënësja Gashi tha se gjykata ka detyruar policinë që ta verifikojë zbatimin e masës ndaj tre të dyshuarve.
“Të pandehurit L.D, K.H dhe O.H janë njoftuar nga gjykata se konform nenit 181 pika 5 të KPPRK-së, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – masën e paraburgimit, nëse të njëjtit nuk e respektojnë masën e shqiptuar – arrestin shtëpiak. Gjykata ka detyruar Policinë e Kosovës, ta verifikojnë zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit të saj, të njoftohet gjyqtari i procedurës paraprake në këtë çështje penale. Masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, iu është caktuar në bazë të nenit 181 lidhur me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 të KPPRK-së”, tha Gashi.
“Kundër këtij aktvendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special”, përfundoi Gashi.