Refki Suma, kryetar i Hanit të Elezit, nga Bllaca foli në përkujtim të 21-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, raporton EO.
“Me respektin më të lartë për të gjithë ata që dhanë jetën e tyre që ne të jemi të lirë, ku vendi ynë mik Maqedonia strehoi familjet tona kur pushtuesit me dhunë i dëbuan nga shtëpitë e tyre, duke menduar që shqiptarët një herë e mirë do të largohen dhe nuk do të kthehen më në shtëpitë e tyre”, u shpreh ai.
Suma falenderoi shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që i hapën dyert në kohën kur vëllezerit e tyre dëboheshin nga shtëpitë e tyre me dhunë nga pushtuesit serb.
Ai kujtoi vendin e Bllacës, duke thënë që nga këtu shumë shqiptarë u strehuan në Bllacë, dhe po ashtu u shëndrruan në spitale për ata të cilët plagoseshin nga forcat serbe.
“Jemi në afërsi të kampit të Bllacës sepse nga këtu kemi pasur refugjatë të cilët me dhunë janë dëbuar në Maqedoni”.
“Falenderoj bllacasit të cilët shtëpitë e tyre i kishin shndërruar në spitale dhe i strehuan familjet kosovare në shtëpitë e tyre”.
Suma tha se luftëtarët e UÇK-së dhanë kontribut të jashtëzakonshëm gjatë luftës në Kosovë, por nuk duhet harruar kontributi i madh i forcave të NATO-s që detyruan forcat serbe të kapitullojnë.