Sundimi i ligjit bazë për MSA-në, nis fushata informuese

Prishtinë | 23 Shk 2017 | 15:35 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Integrimit Evropian dhe Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNDP) sot kanë lansuar fushatën informuese për publikun në lidhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA).

Fushata informuese ka për qëllim të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes për qytetarët e Kosovës sa i përket MSA-së, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se është momenti kur pas gati një vit të hyrjes në fuqi të saj pas anketave që janë bërë është vërtetuar se 93 për qind e të anketuarve janë për anëtarësim në BE.

“Kjo fushatë do të jetë më e afërt për dobitë që do të sjellë MSA-ja”, tha Ahmetaj, duke shtuar se do të vazhdojnë me fushata të tilla.

Mimoza Ahmetaj ka folur edhe për atë se sa është realizuar dhe zbatuar kjo marrëveshje duke thënë se janë në rregull me planin e zbatimit të MSA.

“Ne kemi ligje mjaft të mira, por nuk mund të themi se jemi mjaft të kënaqur. MSA-ja, është proces që do ta trasojë rrugën e Kosovës për në BE. Përmes MSA-së, do ta përgatisim Kosovën për të qenë e barabartë me vendet tjera në BE”.

Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, theksoi se MSA-ja është gurthemel i rëndësishëm për Kosovën.

“Sa më shumë që Kosova futet në implementim e saj atëherë do të jetë më afër BE-së. Kosova është zotuar që do të ndërmarr masa të fuqishme dhe t’i ofrojë politikat ekonomike me BE-në”, ka thënë ajo.

Sipas saj, sundimi i ligjit është baza e MSA-së dhe kjo është njëra prej sfidave të Kosovës.

“Mbetet rol i Qeverisë së Kosovës që të gjitha obligimet që dalin nga MSA-ja të plotësohen”, theksoi Apostolova.

Përfaqësuesja e BE-së, në Kosovë Apostolova po ashtu ka folur edhe për liberalizimin e vizave duke thënë se është e vetëdijshme që liberalizimi i vizave është në mendje të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Procesi i liberalizimit  të vizave nuk është proces politik, po më shumë ka procese teknike. Për momentin ju i keni plotësuar pothuajse të gjitha kushtet. Janë dy kushte ende të paplotësuara e që është demarkacioni dhe korrupsioni e krimi i organizuar”, ka thënë ajo.

Ajo theksoi se kjo marrëveshje është edhe angazhim nga institucionet për pavarësimin e gjyqësorit, ngase ka prona të uzurpuara, lëndë të pazgjidhura dhe kjo i pengon bizneset dhe minon mundësitë e përfitimit të Kosovës nga MSA-ja.

Andrew Russell përfaqësues rezident i UNDP-së në Kosovë, deklaroi se nuk është asgjë më e rëndësishme për ta sesa investimi në Ballkan.

“Tani sfidë është zbatimi i MSA-së. Kemi punuar në legjislacion, kemi punuar në ristrukturimin e punës. Shpresojmë që kjo përkrahje do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Është esenciale që të përfshihet shoqëria civile në këtë proces. Është e rëndësishme që kosovarët ta kuptojnë rëndësinë e këtij procesi”, theksoi ai.

 

Të ngjashme