Jo pak të rinj shihen nëpër rrugët e Prishtinës me shiritat ngjyrë rozë në kyçet e duarve.
Ata janë të parët që japin imazhin e “Sunny Hill Festivalit”. Me rënien e muzgut, shpeshtohen, tek ia mësyjnë edhe në këmbë rrugës “Nazim Gafurri”, që çon drejt parkut të “Gërmisë”. Aty, që në hyrje janë mijëra veta që presin jo perëndimin e diellit, por shfaqjen e yjeve të muzikës. Një “pelegrinazh” i tillë ka nisur qysh të premten, me edicionin e dytë të festivalit.
Paraditen e asaj dite në skenën e parkut që shtrihet në 41 hektarë, ajo po bënte provat e fundit krejt e qetë dhe pa sforcime. E veshur me një palë xhinse dhe një bluzë të shkurtër të bardhë, 26-vjeçarja nga Tennessee po këndonte këngën e Led Zeppelinit, “Black Dog” dhe hitin e saj më të ri, “The Most”, shkruan Koha Ditore.
Gati 12 orë më vonë, dhjetë minuta pas mesnatës, paraqitja impresive e saj ka qenë momenti kulmor i natës së parë të “Sunny Hillit”. Ashtu sikur hiti i saj “Wrecking ball” i realizuar gjashtë vjet më parë, e gjithë paraqitja e saj me një repertor prej 13 këngësh për thuajse dyzet minuta u shoqëruame këndimin e përbashkët të publikut që dinte përmendsh të gjitha tekstet e këngëtares amerikane. Një atmosferë e tillë s’ka munguar as në natën e dytë me rap-artistin shqiptaro-amerikan Gashi.
Cyrus energjike
“E nderuar që do të luaj sonte në ‘Sunny Hill Festival’ dhe do të marr pjesë në një party me mikeshën time, Dua Lipa. Përpara Kosovë!”, kishte shkruar Cyrus në “Instagram” pak orë para se të ngjitej në skenë.
Cyrus ka pushtuar titujt e medieve botërore me performancën e saj në Prishtinë, pasi që e njëjta pritej të merrte pjesë edhe në 50-vjetorin e Festivalit të Woodstockut, por që ishte anuluar ditë më parë.
Një moment i veçantë, që ka ndezur publikun në “Gërmi”, ishte interpretimi i hitit ikonik të Dolly Partonit “Jolene”, të cilën këngë Cyrus e kishte interpretuar edhe sivjet në ceremoninë e ndarjes së çmimit “Grammy” në Staples Center.
“Më duket që jam e para artiste ndërkombëtare që vij këtu. Njerëzit këtu janë të mrekullueshëm. Ne kemi një gjë të përbashkët: të gjithë e duam muzikën”, i është drejtuar Cyrus publikut. Ka kënduar edhe hitet e tjera të saj si “We Can’t Stop”, “Party in the U.S.A”, “Nothing breaks like a heart” dhe “Can’t Be Tamed”. Publiku ia ka dëshmuar se ka pasur të drejtë se “të gjithë e duan muzikën”.