Superliga e Kosovës në Basketboll do të vazhdojë në vikend me xhiron e 21-të e cila do të transmetohet në platformën Artmotion.
Të Shtunën në program do të jenë 2 ndeshje ku me fillim nga ora 17:00 do të ballafaqohen rivalët e vjetër Bashkimi dhe Sigal Prishtina. Edhe pse aktualisht Bashkimi qëndron më mirë në renditjen tabelare, Prishtina me formën e treguar së fundmi pritet të jetë arrë e fortë.
Ndeshja e dytë e ditës së Shtunë do të jetë ajo në mes të Trepçës dhe Ponte Prizrenit. Mitrovicasit që në mesjavë befasuan Rahovecin në Minatori do të mundohen ta bëjnë të njejtën gjë edhe përballë Ponte Prizrenit edhe pse prizrenasit janë ndër ekipet më stabile dhe aktualisht ndodhen në krye të tabelës. Edhe ky duel pritet të jetë mjaftë i fortë dhe me shumë rivalitet pavarsisht pozitave në renditjen tabelare.
Të dy këto duele do të mund t’i ndiqni në ART SPORT 2.
Derbi i xhiros së 21-të do të jetë të dielën me fillim nga ora 17:00 ku do të takohen rivalët e përbetuar, Golden Eagle Ylli – Rahoveci. Dy ekipet që u takuan në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës ku fitore shënuan therandasit do të ballafaqohen përsëri e edhe kësaj rradhe do të jemi dëshmitar të një super-përballjeje ku vreshtarët do të mundohen të revanshohen për humbjen e fundit.
Këtë ndeshje do të mund ta ndiqni në Art Sport 1 dhe Klan Kosova.
Ndërsa xhiron e 21-të do t’a mbyllin fqinjët, Vëllaznimi dhe Peja. Gjakovarët e përforcuar së fundmi në Shani Nushi do të i presin pejanët që do të mundohen maksimalisht të fitojnë titullin këtë sezonë. Dy ekipet me ambicie të kundërta do të ndeshen me fillim nga ora 19:00, ndërsa ky duel do të transmetohet në Art Sport 1.