Kampioni në fuqi, Feronikeli, ka pasur kohë të mjaftueshme për të përmirësuar dobësitë që i janë shfaqur në dy ndeshjet e fundit. Më 2 tetor, Feronikeli kishte humbur 2:1 në shtëpi nga Llapi, ndërsa më 7 tetor barazoi 1:1 me Trepçën ’89 në udhëtim. Prej atëherë i ka pasur dhjetë ditë kohë për të përgatitur ndeshjen ndaj Gjilanit, që zhvillohet të premten (sot) nga ora 14:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Feronikeli – Gjilani është një nga tri ndeshjet e xhiros së dhjetë të Ipko Superligës së Kosovës në futboll, që zhvillohen të premten. Pasi ka lëshuar pikë në dy ndeshjet e fundit, Feronikeli ka humbur paksa hapin me kryesuesit. Renditet i pesti me 16 pikë, katër më pak se Ballkani që prin. Gjilani është i treti me 18 pikë, sa i ka edhe Drita në vend të dytë. Ndërkohë Llapi është i katërti me 17 pikë, shkruan sot Koha Ditore.
“Me Gjilanin na pret ndeshje shumë e rëndësishme. Por gjatë kësaj periudhe të pushimit jemi përgatitur mirë dhe jemi maksimalisht të gatshëm. Ne do të bëjmë të pamundurën për të marrë fitore në këtë derbi, edhe pse nuk do të jetë lehtë. Gjilani ka ecuri të mirë, por ne vetëm fitoren e kemi opsion për këtë takim”, ka thënë Astrit Fazliu, sulmues i Feronikelit.
Gjilani llogaritet prej skuadrave pretendente për titull, njëjtë si Feronikeli. Gjilani ka fituar dy ndeshjet e fundit, ndërsa në xhiron e shtatë humbi derbin nga Drita. Më pas fitoi 4:1 në udhëtim ndaj Flamurtarit dhe 1:0 në shtëpi ndaj Dukagjinit.