Që nga sot, Mitrovica nuk ka ekip që e përfaqëson në Superligën e Kosovës në futboll. Trepça’89 u mposht në ndeshjen e barazhit ndaj Dukagjinit pas ekzekutimit të penalltive. Kështu, ekipi nga Klina rikthehet në Superligë pas një sezoni të kaluar në një rang më poshtë.
Superliga e Kosovës në futboll ka mbetur pa klubet e qendrave kryesore të Kosovës.
Prizreni, Gjakova, Mitrovica, Peja e Ferizaj janë ndër qytetet më të mëdha në Kosovë, por nuk përfaqësohen me ekipe në elitën e futbollit kosovar.
Trepça’89, Liria, Vëllaznimi, Ferizaj, Flamurtari, Besa e Trepça janë ekipe të njohura në Kosovë, por asnjë nuk bën pjesë në Superligë.
Pas luftës, këto ekipe ishin ndër kryesoret dhe shpesh titulli i kampionit përfundonte te ta. Besa e ka fituar tri herë titullin e kampionit pas vitit 1999. Trepça e ka fituar një herë, e po ashtu edhe Trepça’89. Edhe në periudhën e para luftës, këto kanë qenë ndër klubet kryesore të vendit.
Përveç tyre është edhe Vushtrria, një komunë më e vogël, por që njihet si vatër e futbollit, me trofe të fituar e shumë futbollistë të shkëlqyer që kanë dalë nga aty.
Këtë edicion, nga Superliga u larguan Besa e Pejës, Arbëria nga Lipjani e Trepça’89 e Mitrovicës, për t’u futur tri ekipe nga qytete të vogla të Kosovës, Dukagjini nga Klina, Malisheva dhe Ulpiana nga Lipjani.